Rritja e besimit në gjyqësor nuk arrihet duke ndryshuar udhëheqësit e institucioneve, por nevojitet buxhet, punësime dhe reforma sistemore. Kështu e sheh situatën juristi Milazim Mustafa, pas zgjedhjes së fundit të prokurores së re të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe paraprakisht të kryeprokurorit shtetëror. Mustafa nuk është optimist se gjërat do të ndryshojnë.
Milazim Mustafa, jurist
“Zakonisht kur ndodhin ndryshimet ka dhe shpresa se do përmirësohen gjërat. Megjithatë duhet pas parasysh situatën, duke njohur sistemin se si funksionon dhe në çfarë gjendje është, un nuk jam optimist se me ndrrimin e personaliteteve të shkojë njeri dhe të vijë tjetri dhe të ndryshojnë gjërat. Nevoiten reforma rrënjësore për të analizuar fillimisht situatën në gjyqësor, më pas edhe të ndërmerren masat adekuate për përmirësimin e gjendjes”.
Ai thekson se nuk dyshojnë në cilësinë e individëve që janë vendosur në krye të institucioneve gjyqësore, por mendon se çelësi është tek Ministria e Financave, që nuk jep pëlqime për punësime të reja pasi siç shton jemi dëshmitarë se ka mungesë të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe të stafit teknik.
Milazim Mustafa, jurist
“Ne nuk dyshojmë as në kualitetet dhe profesionalizmin e prokurorëve të mëparshëm, as ata që vijnë tani. Megjithatë ndryshimi i një personi në një sistem që nuk funksionon, nuk ka resurse të mjaftueshme, nuk ka investime të mjaftueshme, nuk ka punësime të stafit profesional, sidomos atij teknik, ndryshimi vetëm në krye të institucionit mendoj se do jetë i kotë në qoftë se nuk ndërmerren masat adekuate”.
Mustafa mendon se ritja e pagave nuk është problematika kryesore e kësaj fushe, por është mungesa e stafit profesional dhe teknik. Ai konsideron se sa më shpejt të zhbllokohet fati i Akademisë për gjyqtarë dhe prokuror, të pranohen gjeneratat e reja, aq më e shpejtë do të jetë zgjidhje.
Disa ditë më parë, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit zgjodhi prokuroren Iskra Haxhi Vasileva drejtuese të këtij institucioni. Në mars të këtij viti, në një atmosferë të trazuar me prokurorin paraprak, në krye të Prokurorisë së Shtetit u zgjodh prokurori Nenad Saveski.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/
MARKETING
<!–



