Në pranverë mund të jepet dritë jeshile nga Brukseli për hapje të negociatave për pranim në BE të Maqedonisë dhe Shqipërisë, shkruan gazeta austriake Kurir. Se Maqedonia dhe Shqipëria janë në rrugë të mirë kah BE-ja, sipas kësaj gazete, ka vërtetuar edhe komisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johanes Han, në takimet me gazetarët e rajonit të dielën në Tiranë. Kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Kllod Junker, e theksoi 2025-tën si termin të mundshëm për pranim të anëtarëve të rinj në BE, por sipas asaj që Han u ka thënë gazetarëve në Tiranë, asnjëri shtet nuk ka garanci se atëherë do të kyçen.
Johanes Han, komisioner evropian
“Nëse vendoset afat konkret, ajo mund të jetë rrezik për vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat nuk do ta arrijnë, të qëndrojnë në pritje dhe të bëjnë regres. Procesi i pranimit është proces i vazhdueshëm reformash, ndërkaq, cili shtet së pari do të bashkangjitet, nuk është vendosur.”
Në shkurt, komisioni do të prezantojë strategji për Ballkanin perëndimor për forcim të mëtejmë të perspektivës evropiane dhe për reformat e nevojshme në rajon. Vlerësimi i pritshëm pozitiv për Maqedoninë dhe Shqipërinë, të cilat janë në rrugën e duhur, duhet të sigurohen nga vendet anëtare në BE dhe të hapet rruga për fillimin e bisedimeve për pranim me Shkupin dhe Tiranën zyrtare. Moment pozitiv, që ka qenë i theksuar në takimet me Hanin në Tiranë, janë raportet e përmirësuara mes Greqisë dhe Maqedonisë.
Johanes Han, komisioner evropian
“Me atë do të hapen mundësi për muajt e ardhshëm për fund eventual të bllokadës greke për shkak të çështjes afatgjate rreth emrit me Greqinë. Lidhur me Shqipërinë, duhet të zgjidhet problemi me mijëra shqipëtarë të cilët kërkojnë akoma azil në BE. Kjo ndikon në imazhin e vendit dhe për këtë arsye duhet të ndryshohet, por ajo nuk mund të bëhet për një ose dy vite.”
Për lodhjen nga zgjerimi në BE, për të cilën po ashtu është diskutuar në Tiranë, sipas komisarit Han është e nevojshme që liderët dhe parlamentet në vendet e unionit të flasin për qytetarët e tyre, për prurjet e zgjerimit të mëtejmë.
Ajnur Bafqari /SHENJA/

