Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar gjatë ditës së sotme (19 maj) takime në drejtoritë vendore të Policisë Fier dhe Gjirokastër dhe në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër.
Mes të tjerash, Kryepolici ka kërkuar nga efektivët, angazhim maksimal për rritjen e parametrave të rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e paligjshmërive dhe ndjekjen në dinamikë të shqetësimeve të qytetarëve.
“Drejtori i Përgjithshëm kërkoi punë intensive hetimore dhe operacionale për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, evidentimin e ndërtimeve të paligjshme dhe të krimeve të tjera mjedisore, si dhe për kapjen e shtetasve në kërkim. Drejtori u ndal edhe në çështjen e sigurisë në shkolla dhe kërkoi angazhim maksimal të strukturave policore, deri në përfundimin e vitit shkollor, për monitorimin e perimetrit të sigurisë dhe të territorit në afërsi të shkollave, nga agjentët e Policisë Kriminale dhe Patrullat e Përgjithshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të shitjes së lëndëve narkotike dhe parandalimin e përdorimit të automjeteve nga të rinjtë e papajisur me leje drejtimi”, thuhet në njoftimin zyrtar të institucionit.
Gjatë takimeve, sqarohet se drejtori i Përgjithshëm u ndal edhe te sezoni turistik, duke kërkuar nga shërbimet e Policisë, performancë, sjellje, etikë, komunikim, angazhim maksimal dhe reagim në kohë për çdo rast.
Një detyrë tjetër që la Drejtori i Përgjithshëm ishte ndjekja në dinamikë e shqetësimeve të qytetarëve, sado i vogël që të jetë.
“Drejtori Hita kërkoi nga shërbimet e Policisë, që t’i ndjekin me përparësi shqetësimet, t’i kushtojnë rëndësi sinjalizimeve për dhunë në familje, konflikteve dhe t’i trajtojnë rastet me profesionalizëm. Drejtori vuri theksin edhe te siguria rrugore dhe kërkoi performancë nga shërbimet e Policisë Rrugore, monitorim me mjete logjistike bashkëkohore dhe asnjë ndalimin të automjeteve, pa shkak, në akset kryesore nacionale. Më tej, Drejtor Hita theksoi se në qendrat urbane, Policia Rrugore duhet të angazhohet maksimalisht për ndëshkimin e parkimeve të gabuara që bëhen burim aksidenti ose pengojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe këmbësorëve, për xhirimet e gomave apo zhurmën që gjenerojnë marmidat e modifikuara, për drejtimin e automjeteve, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, shpejtësinë tej normave të lejuara dhe për çdo shkelje që rrezikon jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës”, thekson njoftimi.
Gjatë takimit në Gjirokastër, Drejtori i Përgjithshëm la porosi për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, rritjen e bashkëpunimit me homologët grekë, për menaxhimin e rasteve të fluksit të lëvizjeve, duke shtuar sportelet për qytetarët.


