Medreseja “ISA BEU” dhe abrogimi i vendimit për themelimin e shkollës së mesme private nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ka përplasur partitë politike shqiptare.
Ish kryeministri teknik, tani deputet Talat Xhaferi në një prononcim për TV Shenja duke folur për këtë çështje tha se vendimi i marrë nga Qeveria në periudhën kur ai ka qenë kryeministër është në përputhje me të gjitha ligjet sepse siç thotë, para se të merrej vendimi, subjekti juridik në këtë rast Bashkësia Fetare Islame ka përmbushur të gjitha obligimet ligjore për themelimin e shkollës së mesme private.
Duke cituar nene nga ligjet në fuqi, Xhaferi thotë se çdo subjekt juridik i huaj ose vendorë, apo person fizik ka të drejtë themelojë shkollë të mesme private, nëse përmbush obligimet ligjore.
TALAT XHAFERI – ISH KRYEMINISTËR
“Mendimet pozitive të të gjitha institucioneve përkatëse sipas ligjit për arsim të mesëm rezultojnë me të drejtë me verifikim të së drejtës së BFI-së si person juridik i cili thirret në atë bazë të themelon shkollën, medresenë dhe mbi atë bazë është dhënë vendimi për themelim të shkollës medrese ‘Isa Beu’ – Shkup, dhe s’do mend që BFI-ja këtë kërkesë e ka bërë për nevoja të veta”.
E kaolicioni VLEN nga ana tjetër vazhdon të insistojë se Xhaferi dhe BDI këtë veprim e kanë ndërmarë për përfitim të pikëve të ulta пolitike. Megjithatë thonë se VLEN-i është angazhuar për gjetjen e një zgjidhjeje ligjore afatgjate, me të cilën ky problem mbyllet njëherë e përgjithmonë.
VLEN
‘’I kanë mashtruar drejtuesit e Medresesë, si dhe nxënësit dhe opinionin e gjerë, se gjoja e kanë akredituar Medresenë ‘Isa Beu’. Në të vërtetë, ata e kanë bërë regjistrimin e Medresesë si gjimnaz i përgjithshëm, pa e vrarë mendjen se ajo shkollë ka një listë të lëndëve fetare dhe një traditë 40-të vjeçare në atë frymë. Si pasojë e këtij vendimi skandaloz, le që e kanë ekspozuar Medresenë në këso vendimi të Gjykatës Kushtetuese, por edhe e kanë dëmtuar procesin edukativo-arsimor në këtë shkollës, ngase nxënësit e regjistruar në atë program tashmë janë zyrtarisht nxënës të gjimnazit”.
Nga VLEN thonë se për këtë janë të njoftuar edhe zyrtarët e BFI-së, respektivisht të Medresesë “Isa Beu”, ndërsa për zgjidhjen konkrete të lëndës edhe opinioni do të informohet me kohë.
Akuzave të VLEN u është përgjigjur vet Xhaferi. Ai siguroi se vendimi nuk është marrë në asnjë moment për pikë politike.
TALAT XHAFERI – ISH KRYEMINISTËR –
“Në pamundësi që të mbrojnë një të drejtë të nxënësve të cilët edhe simbas kushtetutës por edhe simbas ligjeve përkatëse kanë të njëjtin status sikurse nxënësit e shkollave tjera shtetërore komunale që funksionojnë në vend. Kështu që mendoj se kjo çështje është e apsolvuar dhe çdo koment tjetër politik është mbi bazë politike për ti dhënë ngjyrë pamundësisë për të mbrojtur një të drejtë të qytetarëve”.
Ndryshe, për ambrogimin e vendimit qeveritarë nga Gjykata Kushtetuese, ka reaguar edhe Bashkësia Fetare Islame. Në reagimin e tyre thuhej se para Gjykatës Kushtetuese kanë inicuar procedurë për vlerësimin e kushtetueshmërisë së nenit 7 të “Ligjit për Arsimin e Mesëm” me të cilin nuk lejohet “mësimi fetar nëpër shkollat e mesme” me arsyetim se ai është në kundërshtim me amandamentin 7 dhe nenin 22 të Kushtetutës së RMV-së, “i cili çdo qytetari i garanton lirinë dhe mundësinë për arsim fetar në shkolla fetare”.
Mevludin Imeri /SHENJA/