Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, akuzoi sot mazhorancën se po përdor nacionalizmin si “strehën e fundit” për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme dhe protestat në vend.
Blushi akuzoi mazhorancën se ka mbështetur nisma që, sipas tij, kanë dëmtuar interesat e Kosovës, duke përmendur “Ballkanin e Hapur” dhe qëndrimet e Edi Ramës ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
“Jeni pikërisht ju që duartrokitët ‘Ballkanin e Hapur’ për të asgjësuar Kosovën dhe që sot na flisni për Luftën Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë iu referua edhe përgjimeve të bëra publike të Roni Yeffet, duke e lidhur çështjen me pretendimet për trafik ndërkombëtar armësh dhe me kompaninë KAYO.
“Kur në fakt me luftën ju keni vetëm një raport, raportin me trafikun ndërkombëtar të armëve, sikundër u faktua edhe këto javë me audio-përgjimin e famshëm të Ron Yeffet”, tha Blushi.
Fjala e plotë:
Edhe në këtë seancë, Edi Rama vërtetoi se kur nuk ka më alibi se çfarë t’u thotë shqiptarëve, se çfarë t’u thotë atyre protestuesve që janë mbushur sheshet dhe rrugët e Shqipërisë, ka gjetur dhe gjeti në fakt, strehën e fundit për tu fshehur, aty ku fshihen të gjithë maskarenjtë nacionalizmin.
E megjithatë, dua t’u kujtoj të gjithë atyre deputetëve të tij që parakaluan në këtë foltore, që folën në emër të nacionalizmit, që folën për patriotizmin se Simbolet Kombëtare nuk janë kuaj sa për të kaluar lumin dhe që të jesh patriot nuk duhet të jesh hajdut.
Që të jesh patriot nuk duhet të jesh trafikant dhe sigurisht që as ju nuk mund të jeni patriot.
Sepse në qoftë se liria në Kosovë ka emër, më Shqipëri tradhëtia ka emër, hajnia ka emër, poshtërsia ka emër, shitja e interesit kombëtar ka emër dhe ai është Edi Rama, i cili pa votat tuaja nuk do të bënte të mundur që mielli i kontaminuar Serb që ka përmbytur sot Shqipërinë, të përdoret si plaçkë tregu për të blerë votat e shqiptarëve.
Se nëse nuk do ishit ju, Edi Rama nuk do përmbyste Shqipërinë me qumështin e kontaminuar pluhur nga Serbia për të falimentuar fermerët shqiptarë.
Ndaj këto 6 apo 7 orë në këtë seancë përveçse kanë dashur një durim të madh, për fat të keq, duan edhe një stomak të fortë për të degjuar të gjithë çetën e hajdutëve, trafikantëve, përfaqësuesve të krimit të organizuar të na japin moral për patriotizmin dhe se sa shumë e duan Kosovën.
Në fakt, kush e ka lexuar librin “Ferma e kofshëve” të George Orwell dhe kush nuk e ka lexuar i ftoj ta lexojne, do kuptojnë fare qartë se derrat e majmur të kësaj mazhorance janë ata që ju kanë marrë shqiptarëve jo vetëm kumbullat dhe mollët, por po u vjedhin pensionet, po i taksojnë vezët, po i taksojnë qumështin, miellin, vajin, sheqerin edhe më shumë se Serbia, të cilën sot e anatemojnë pikërisht ata të cilët kanë duartrokitur kur Edi Rama tregëtonte kufijtë e Kosovës me Aleksandër Vuçiçin.
Jeni pikërisht ju që duartrokitët “Ballkanin e Hapur” për të asgjesuar Kosovën dhe që sot na flisni për Luftën Çlirimtare të Kosovës.
Kur në fakt me luftën ju keni vetëm një rraport, rraportin me trafikun ndërkombëtar të armëve sikundër u faktua edhe jëto javë me audio-përgjimin e famshëm të Ron Yeffet.
Ndaj për tu rikthyer edhe njëherë tek “Ferma e kafshëve”, patriotizmi i vërtetë sot është të çlirohet nga këta derra të majmur, të çlirohet nga derrllëqet tuaja, nga fakti se po pasuroheni në kurrizin e popullit më të varfër të Kontimentit.
Nga fakti se po pasuroheni duke vjedhur pensionistët, duke vjedhur me çmimin e naftës, duke vjedhur edhe me shportën e bukës.
Jeni ju që po vidhni edhe ilaçet duke detyruar sot dhjetra e dhjetra shqiptarë të shkojnë jo drejt shërimit tek Onkologjiku, por drejt vdekjes së sigurt.
E si mund t’ju durosh ju të flisni sot këtu për Kosovën, e sigurisht që gjetet një alibi për të spostuar vëmendjen pasi debati për gjoja pagat e gjyqtarëve që ju dhimben aq shumë, nuk arriti dot të shuajë protestën, tani gjetët alibinë për të na folur dhe për të na dhënë leksione për Kosovën.
Por theksoj se patriotizmi i vërtetë sot është se çfarë do të bëjnë shqiptarët për të hequr qafe një orë e më parë këtë klasë derrash ashtu siç George Orwell e shkruante te libri i tij ” Ferma e kafshëve” në mënyrë që jo vetëm ju të hani mollët dhe kumbullat, ti vidhni shqiptarët nga mëngjesi në darkë dhe të detyrohen të largohen nga vendi, të shpopullohet e të shkombëtarizohet një shqipëri e tër, thjesht dhe vetëm për faktin se ju jeni këtu, si kartona e jo si njerëz që kanë ndërgjegje, që kanë dhembshuri dhe që kanë përgjegjësi për popullin e tyre.
Unë nuk mund të pranoj leksione nga hajdut votash që keni blerë vota me miellin e Serbisë.
Unë nuk mund të pranoj dot leksione patriotizmi nga ju që i vidhni pesonistët nga mëngjesi në darkë, aq sa edhe sot, ato vezë që ju gjuajtën ata protestues të nderuar në fakt ju bëjnë nder, se ju e ndotni vezën që ju zgërlqi kostumin.
A mund të quheni ju patriotë që fshiheni si minj, që keni rrethuar kuvendin me bodyguardë dhe polici.
Çfarë patriotësh jeni ju? Për kë patriotizëm po flasim?
Nuk është patriotizëm të postosh në rrjetet sociale fotot e katër udhëheqësve të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk të bën patriot as cilësia e fjalimeve, as madhështia e pushtetit. Patriotët të bëjnë akti, vendimi, ligjet. Dhe ju jeni, në fakt, tradhtarët e kombit, sepse keni miratuar ligjet më antikombëtare që kjo tokë ka njohur. Sepse janë ligjet tuaja që kanë detyruar 1.5 milion shqiptarë sot të braktisin vendin. Janë ligjet tuaja që detyrojnë shqiptarët të paguajnë skemën kriminale KAJO që Edi Rama të mbushi xhepat me Roni Yeffet.
Jeni ju që e keni votuar kokëulur të gjithë dhe fshiheni si minj para shqiptarëve që protestojnë.
Mos i gjuani me vezë.
Mos i ndotni vezët. Ndoshta pelenat e fëmijëve mund t’i ishin mjeti i duhur.
Sepse edhe vezën e ndotni, sepse edhe vezë që përdorin për të goditur ndaj jush, ju i vidhni 20%.
Na bëni ju moral për patriotizëm. Ju që për pak sa nuk hapët konsullatën serbe në Shkodër, ju që duartrokitët Edi Ramën me ish-ministrin e Slobodan Milosheviqit, ju që duartrokitët Edi Ramën, kur ishte gati të ndante kufiri i Kosovës.
Ju që i vidhni shqiptarët nga mëngjesi në darkë, keni mes jush nga ata që janë pasuruar duke importuar produkte serbe.
Edhe ata na thonë se sa shumë e duan Kosovën.
Ju që i vutë traun Kosovën, ju që detyruat çdo kosovar të paguajë pesë euro për të ardhur në sheshin “Skënderbej” për të protestuar kundër atij vendimi skandaloz të Hagës.
Kaq shumë e doni ju Kosovën?
A e doni ju Kosovën vërtet?
Ju që nuk doni vëllezrit, motrat tuaja.
Ju që keni përdorur gazin lotsjellës për të dëbuar gratë shtatzana nga shtepitë e tyre, për tju rrëmbyer pronat, tokat, për tu përgjysmuar bagëtitë.
Ju e doni Kosovën?!
Ju i doni shqiptarët?!
Tju vijë turp!
The post Dënimi i 4 ish-krerëve të UÇK-së, Blushi-mazhorancës: Mos më bëni moral për patriotizëm, ju që i keni duartrokitur marrëveshjet me Serbinë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



