Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, në emisionin “Debat në SHENJA”, theksoi se ligji për përdorimin e gjuhëve në jurisprudencë është miratuar që në vitin 2017. Ndërkaq, zëvendës kryeministrin Arben Fetain, para pak ditësh në të njëjtin emision tha se është e turpshme që shtatë ministra shqiptarë të drejtësisë nuk kanë arrit ta zgjidhin problemin e provimit të jurisprudencës. Bexheti tha se Fetai ose nuk di, ose flet në këtë mënyrë nga halli.
BLERIM BEXHETI, DEPUTET I BDI-SË
“Nëse i marrim të dhënat, ligji për përdorimin e gjuhëve në jurisprudencë është miratuar në vitin 2017. Ky zotëri, besoj që nuk e di, por nuk e marrim për të madhe. Ai ka qenë anëtar i Aleancës për Shqiptarët, në qeverinë ku dominuese ka qenë BDI. T’ia përkujtoj opinionit se është mashtrues ordiner, sepse ligji për provimin e jurisprudencës ka kaluar në qeveri, ka marrë mendim pozitiv nga komisioni ligjdhënës dhe ka ardhur në parlament. Me rregullore, të gjitha ligjet nga qeveria paraprake i kthehen qeverisë së re për rishqyrtim – qeverisë pa legjitimitet të VLEN-it – dhe asnjëherë nuk kanë ardhur në Kuvend. Tani kujt duhet t’i vijë turp?”.
Bexheti theksoi se Ligji ka qenë në parlament, ndërsa tani kryeministri tallet, një ditë thotë po, ndërsa ditën tjetër thotë se do të bëjnë ligj dhe do ta çojnë në Venecia.
Bexheti tha se nuk do ta mbështesin ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pasi sipas tij për BDI-në ka rëndësi edhe etnia edhe profesionalizmi dhe jo vetëm njëri koncept siç thotë VLEN. BDI do të dorëzojë amendamente ndaj ligjit.
Ai tha se VLEN duhet të bindë partnerët e tyre që të votojnë rezolutën për ish-krerët e Kosovës dhe jo të bëjë lojëra. Bexheti vlerëson se Bashkimi Demokratik për Integrim, është në rritje e sipër, ndërsa kundërshtari politik, grupimi VLEN, po regjistron rënie të mbështetjes. /SHENJA/


