Muaji i shenjtë i Ramazanit, muaji i agjërimit, i lutjes dhe sakrificës përfundoi. Mëngjesi i së dielës besimtarët mysliman i gjeti në xhami duke falur Fitër Bajramin. Mijëra muslimanë në të gjithë vendin iu drejtuan xhamive për të marrë pjesë në lutjet dhe faljen e namazit të Fitër Bajramit. Besimtarë të shumtë u mblodhën së bashku në të gjitha xhamitë në kryeqytetit, por edhe në qytete dhe fshatrat e tjera të vendit për të falur namazin e Fitër e Bajramit, një nga festat më të mëdha të fesë islame. Manifestimi qendror u mbajt në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup. Gjatë ceremonisë u kënduan Kuran dhe ilahi në disa gjuhë, ndërsa hutben tradicionale e udhëhoqi kreu i BFI-së, Shaqif Fetahi.
Fetahi, në një prononcim pas namazit, tha se sot është një gëzim i madh për të gjithë besimtarët muslimanë.
SHAQIR FETAHI, KRYETAR I BFI-SË
“Ky gëzim i madh në të njëjtën kohë është falënderim ndaj të madhit Zot, që me bindje të thellë, me iman të paluhatshëm arritëm gjatë gjithë ditëve të muajit të shenjtë të Ramazanit të kryejmë kushtin themelor të Islamit, agjërimin për hirë të Allahut fuqiplotë”.
Pas faljes së namazit të Fitër Bajramit nisën urimet mes besimtarëve…Paqe, shëndet e begati ishin urimet që shqiptoheshin më së shumti. Kjo festë pason muajin e Ramazanit, i cili filloi më 1 mars s dhe u përmbyll më 29 mars. Traditë e festës së Fitër Bajramit janë vizitat nëpër familje të gjerë mes të afërmve dhe miqve.
/SHENJA/