Udhëtimi i krerëve të shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka përplasur opozitën dhe pushtetin në vend.
Bashkimi Demokratik për Integrim, kërkon që Prokuroria Kundër Korrupsionit të nisë një hetim të plotë dhe të paanshëm për këtë çështje, pasi sipas tyre, deklaratat publike e krerëve të kolacionit VLEN, se gjoja kanë ftesë zyrtare për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit Donald Trump ishin një mashtrim i turpshëm dhe një përpjekje e shëmtuar për të krijuar një iluzion të mbështetjes ndërkombëtare.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Në vend që të përfaqësonin dinjitetshëm interesat e qytetarëve, ata u panë duke endur rrugëve të Uashingtonit, duke publikuar foto groteske në rrjetet sociale përpara posterave të ceremonisë dhe ndërtesave qeveritare. Kjo farsë publike, e paguar me paratë e taksapaguesve, është maja e manipulimeve që karakterizojnë këtë subjekt politik pa vizion, pa moral dhe pa përgjegjësi ndaj qytetarëve”.
E, nga koalicioni VLEN, janë shprehur krenarë, pasi siç thonë, ata respektohen ndërkombëtarisht, ndërsa akuzojnë BDI-në se amerikanët i kanë vulosur si të padëshiruar.
VLEN
“Aktualisht Afrim Gashi, Izet Mexhiti, Arben Taravari dhe Zeqirija Ibrahimi ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për takime të rëndësishme, ku po diskutojnë për nevojat reale të qytetarëve dhe për të ardhmen e vendit. Në vend që të kërkojë akuza kundër të tjerëve përmes kumtesave, BDI duhet të shikojë në oborrin e saj dhe të shpjegojë se si liderët e saj arritën deri në atë pikë që të jenë në lista të zeza apo nën monitorim nga institucionet ndërkombëtare”.
BDI dhe siç thuhet në reagimin e koalicionit VLEN, patericat e saj kanë ngelur në vendnumëro me politikat e tyre të vjetra dhe pa vizion, duke shtuar se ata mund të bëjnë zhurmë sa të duan, por shqiptarët e dinë kush po punon për ta dhe kush ka dështuar.
Samir Mustafa /SHENJA/