Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kryer gjithësej 617 kontrolle emergjente para festave të Pashkëve, gjatë të cilave kanë njoftuar se janë asgjësuar 1740 kilogramë ushqime të pasigurta. Sipas njoftimit të Agjencisë tek 16 operatorë, nga kontrollet u konstatua se kërkesat higjienike për sigurinë e ushqimeve dhe kushtet teknike në ambiente ishin të pakënaqshme.
AGJENCIA E USHQIMIT DHE VETERINARISË
“Gjatë kontrolleve është konstatuar se 16 operatorë nuk kanë plotësuar kushtet higjienike për sigurinë e ushqimeve dhe kushtet teknike në objekte. Katër operatorë nuk kanë kryer kontrolle të detyrueshme shëndetësore të punonjësve të tyre ose kanë pasur kartela shëndetësore të skaduara”.
Tutje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë potencuan se pesë nga operatorët nuk ishin të regjistruar si operatorë të ushqimit, dhe tetë u gjetën se kishin produkte të etiketuara në mënyrë jo të duhur. Ndërkaq për mospërputhjet e konstatuara ndërmjet kategorive të ndryshme të operatorëve ushqimorë, siç njoftuan ata, janë nxjerrë 44 vendime për eliminimin e tyre. Për vendosje të ushqimeve të pasigurta në treg dhe mospërputhje të përmasave më të mëdha janë shqiptuar 30 gjoba në vlerë prej 25.400 euro në kundërvlerë në denarë.
Anida Murati /SHENJA/