“Balkanweb” ka siguruar një video ekskluzive të momentit të vrasjes së Delon Troqe, i cili u qëllua për vdekje me breshëri automatiku pak ditë më parë në Vlorë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 26 majit orës 21:50, në lagjen “Pavarësia”. Gazetari Enrik Mehmeti ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë, ku është filmuar e gjithë skena e rëndë. Në pamjet shihet se si një makinë tip ‘Audi’ me portbagazh afrohet me shpejtësi të ulët pranë servisit, në pronësi të vëllait të 38-vjeçarit dhe ka shtënë në drejtim të tij me breshëri automatiku.
Po ashtu, shihet se autorët, të cilët kanë qenë dy, kanë hapur zjarr nga brenda automjetit, në dy momente të ndryshme, duke e lënë të vdekur në vend Troqen. Fill pas krimit të rëndë makina largohet dhe është gjendur e djegur në një fshat të Vlorës. Policia po heton si pistë kryesore, konfliktet e mundshme që 38-vjeçari mund të ketë pasur në Spanjë, vend nga i cili kishte ardhur pak kohë më parë.



