Një 39-vjeçar është arrestuar nga policia në Himarë, pasi ishte duke ndërtuar pa leje një ndërtesë pesë katëshe, njëri prej të cilëve nën tokë.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim kryeinspektorin dhe dy inspektorë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Himarë, të dyshuar për shpërdorim detyre.
Gjatë kontrolleve në terren, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë konstatuar se në vendin e quajtur “Sugë” ishte duke u ndërtuar një objekt 5-katësh, në pronësi të shtetasit me iniciale L. B., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” tre punonjës të IMT-së në Bashkinë Himarë.
Bëhet fjalë për shtetasin me iniciale D. H., 46 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë kryeinspektor, si dhe M. K., 31 vjeç, banues në Gjirokastër, dhe A. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektorë pranë IMT-së.
Njoftimi i policisë:
Po ndërtonte pa leje, një objekt 5-katësh (njëri kat, nën tokë), arrestohet 39-vjeçari.
Shpallen në kërkim 3 punonjës (kryeinspektori dhe 2 inspektorë) të IMT, Himarë, për shpërdorim të detyrave.
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të përditshme në terren, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, krahas angazhimit maksimal për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë sezonit turistik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë konstatuan se një objekt 5-katësh (njëri kat, nën tokë) në vendin e quajtur “Sugë”, aktualisht në proces ndërtimi, ishte pa leje
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, arrestuan në flagrancë pronarin e objektit, L. B., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, shpallën në kërkim, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit D. H., 46 vjeç, banues në Tiranë, M. K., 31 vjeç, banues në Gjirokastër dhe A. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, me detyra përkatëse kryeinspektor dhe inspektorë të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Himarë.
Punohet për kapjen e tyre dhe për individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësive penale.
Kontrollet dhe verifikimet vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



