Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal kundër pesë personave fizik dhe një personi juridik në lidhje me keqpërdorimet në prokurimin publik për përzgjedhjen e kompanisë për sigurim fizik në 14 pikat e pagesës së Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore. Kallëzim penal është ngritur kundër J. B.(54) nga Kërçova, E.R. (56) nga Tetova, E.L. (61) nga Tetova, M.B. (48) nga Shkupi dhe D.Z. (39) nga Tetova dhe kundër një personi juridik nga Kërçova. Ndaj menaxherit të atëhershëm të kompanisë nga Kërçova dhe personit juridik ka filluar hetimi për veprën penale “keqpërdorim i procedurës së thirrjes publike, dhënie e kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”, ndërsa katër të tjerët – drejtori i atëhershëm i kompanisë, njëri nga nënshkruesit dhe dy persona kompetent për kontrollin e realizimit, po zhvillohet procedurë për vepra penale që përfshin keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.
MPB
“Bëhet fjalë për një kontratë të prokurimit publik të lidhur me datën 08.08.2022, me të cilën menaxheri i dyshuar i agjencisë së sigurimit zotohej që për dy vite të ofrojë siguri të vazhdueshme fizike 24/7 në të 14 pikat e pagesave të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Ndonëse ka qenë i detyruar sipas kontratës së nënshkruar, ai nuk i është përmbajtur detyrimit dhe për të gjithë periudhën e kontratës ka dhënë vetëm siguri fizike të pjesshme, më së shpeshti vetëm në turnin e parë, dhe i ka faturuar autoritetit kontraktor për shërbimet sikur të jetë ofruar siguri fizike 24/7 për të gjithë periudhën e kontratës deri në zgjidhjen e saj”.
Edhe Prokuroria Themelore Publike njoftoi se, ka iniciuar procedurë kundër personave të përfshirë në këto keqpërdorime. Sipas prokurorisë, ish drejtori i ndërmarrjes publike ka qenë i obliguar të kujdeset për ligjshmërinë në punën dhe zbatimin e dispozitave, statutit dhe aktet e tjera, si dhe të kryejë kontrollë nëse ekzekutimi i marrëveshjes për furnizim publik është në përputhje me kushtet, por nuk e ka kryer atë obligim.
Prokuroria Publike
“Dy udhëheqësit e dyshuar të departamentit të mbledhjes dhe kontrollit të tarifave ishin gjithashtu përgjegjës për monitorimin dhe përmbushjen e kontratës, kontrollin e ekzekutimit të saj, miratimin e urdhrave të punës për kryerjen e shërbimit, dërgesat, monitorimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara dhe kontrollin e faturave të duhura, si dhe përgatitjen e raporteve nëse kontrata ishte zbatuar plotësisht. Kontrollet e tilla nuk i kanë kryer në tërësi dhe edhe pse e dinin se sigurimi kryhej vetëm pjesërisht, më së shpeshti gjatë turnit të parë, i nënshkruanin kërkesat për miratim të pagesës”.
Nga keqpërdorimet e bëra, bartësi i furnizimit ka përfituar 46.9 milionë denarë dhe me këtë kanë dëmtuar ndërmarrjen publike. Prokurori publik ka dorëzuar propozim në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për caktimin e masës paraburgim për të dyshuarin e parë, ndërsa për të tjerët është propozuar masa e kujdesit.
Teuta Buçi /SHENJA/