Aktualisht është duke u zhvilluar operacioni “Filter” i Drejtorisë së Doganave, me qëllim zbulimin dhe shkatërrimin e një sistemi të organizuar për kontrabandën e cigareve. Në aksion janë përfshirë kompani spedicionuese, transporti dhe importi, persona fizikë, si dhe zyrtarë policorë dhe doganorë.
Drejtoria e Doganave, përmes Sektorit për Kontroll dhe Hetime dhe Njësisë për Hetime, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Byronë për Siguri Publike dhe Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe me prokurorin publik kompetent, ka zhvilluar një hetim të gjerë.
Nga hetimi janë zbuluar disa raste të kontrabandës së organizuar të sasive të mëdha të cigareve, si dhe shmangie e pagesës së detyrimeve doganore në vlerë prej disa milionë eurosh.
Sot në mëngjes janë arrestuar 13 persona, ndërsa kontrollet janë duke u zhvilluar në mbi 20 lokacione në zonën e Gevgelisë, Vallandovës, Strumicës, Dojranit, Velesit dhe Shkupit.




