Një 25-vjeçare nga Shkupi është përpjekur të fusë drogë në burgun e Idrizovës gjatë një vizite te bashkëshorti i saj. Drogën e llojit kokainë dhe marihuanë ajo I kishte fshehur në dy tablla me vezë. Prokuroria Themelore Publike e Shkupit informoi se ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një 25-vjeçareje të dyshuar për – Prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve sipas nenit 215 paragrafi 1 të Kodit Penal.
PROKURORIA
“Më 20 maj ajo është përpjekur të fusë në mënyrë të paautorizuar drogë narkotike – marihuanë dhe kokainë në Burgun e Idrizovës në Shkup, gjatë kohës që ishte në vizitë te bashkëshorti i saj, i cili po vuan dënimin në burg”.
Prokuroria informoi se ajo kishte sjellë në burg dy tablla në të cilat dukej vizualisht se ishin paketuar gjithsej 60 vezë, por gjatë kontrollit me skaner dhe kontrollit manual, është konstatuar se 28 prej tyre përmbanin pako me drogë, përkatësisht gjithsej 318.62 gramë marihuanë dhe 142.2 gramë kokainë.
Duke marrë parasysh peshën e veprës dhe rrezikun e arratisjes apo përsëritjes së veprës, por edhe faktin që e dyshuara është nënë e fëmijëve të mitur, prej të cilëve një foshnjë 5-muajshe, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të dyshuarën. /SHENJA/

