Komisioni shtetëror për ndalimin e korrupsionit solli sot dy vendime, në të cilat dëshmohet se Institucioni publik shëndetësor “Shtëpia e shëndetit” në Ohër dhe Agjencia për punësim kanë shkelë kodin zgjedhor dhe Ligjin për antikorrupsion gjatë fushatës aktuale parazgjedhore. Në rastin e parë, anëtari i Komisionit për antikorrupsion, Goran Milenkov, tha se gjatë shqyrtimit të ankesës nga mjeku Goran Siljanovski, udhëheqës i shërbimit për ndihmë të përgjithshme dhe urgjente në Ohër, janë bërë dy shkelje të kodit zgjedhor dhe ligjit për anti korrupsion.
“Kemi dy shkelje kyçe të kodit zgjedhor dhe ligjit për antikorrupsion. Në këtë fazë parazgjedhore nuk guxon që të ketë as sistematizim, as shkarkim as ndërmarrje të asnjëlloj procedure. Për këtë rast, janë sjellë dy vendime, njëri është kur një person nga pozicioni udhëheqës është zbritur më poshtë në vendin e punës si mjek në ndihmë mjekësore, ndërsa një person tjetër është vendosur në pozitë udhëheqëse, që po ashtu nuk lejohet. Këtu kemi edhe shkelje të nenit 8-a ku kemi edhe komplikime financiare, që do të thotë se njërin i ulet rroga ndërsa tjerit u rrite”, ka deklaruar Goran Milenkov, anëtar i KSHNK.
Anëtarja tjetër e antikorrupsionit, Farije Aliu, theksoi se edhe në ankesën e punonjëses Sllobodanka Aleksovska, Agjencia për punësim ka bërë shkelje të kodit zgjedhor dhe ligjit për antikorrupsion.
Në periudhën e procesit zgjedhor, është sjellë vendim për procedurë disiplinore dhe vendim për suspendim për nëpunësen administrative Sllobodanka Aleksovska. I propozoj komisionit që të miratohet vendimi me arsyetimin se janë shkelë nenet 8-a alineja 3 dhe 4 nga kodi zgjedhor dhe neni 16-a nga ligji për ndalimin e korrupsionit dhe po ashtu në vendim të theksohet se të gjitha aktet që i ka sjelë agjencia për punësim në proces zgjedhor t’i shfyqizojë”, tha Farije Aliu, anëtare e KSHNK.
Anëtarët e Komisionit për antikorrupsion në mënyrë unanime vendosën që t’i miratojnë vendimet për shkeljet që kanë bërë Shtëpia e shëndetit në Ohër dhe Agjencia për punësim, ndërsa kryetari i komisionit, Igor Tanturovski, tha se tani do të vazhdojë procesimi i këtyre dy lëndëve.
Mefail Ismaili

