Kryeqyteti numëron 180 persona të pastrehë, ndërsa vetëm 50 prej tyre, i shfrytëzojnë shërbimet e pikës për persona të pastrehë e cila ndodhet në Mumin Potok. Kështu deklaruan sot nga Kryqi i Kuq me rastin e Ditës Botërore të të Pastrehëve.
Sekretarja e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit, Suzana Tuneva Konevska, me këtë rast deklaroi se Pika e të Pastrehëve në Shkup funksionon për tetë vjet me radhë, ndërsa në të, dy herë në javë personat e pastrehë munden tërësisht të kujdesen për higjienën e tyre, të marrin veshje, ushqim të ngrohtë, këshillë nga mjeku, mbështetje psikosociale dhe ndihmë juridike.
SUZANA TUNEVA KONEVSKA, KRYQI I KUQ
“Një institucion i tillë i nevojitet qytetit për arsye se ky grup i personave të margjinalizuar, të cilët për shkaqe të ndryshme janë të pastrehë ndodhen në situatë të rrezikut të madh dhe të gjitha serviset sociale të cilat kjo pikë ua ofron dedikohen për përmirësimin e jetës së tyre. Ka vetëdije të madhe për mbështetjen e kësaj pike nga qytetarët, numri i personave, të cilët dhurojnë ushqim, veshje dhe barëra nga dita në ditë është gjithnjë e më i madh. Të premten rregullisht vijnë gra, të cilat dëshirojnë specialitetet e tyre të përgatitura në shtëpi t’i ndajnë me këta persona”
Sekretarja Suzana Tuneva Konevska shtoi se është rritur edhe numri i shërbimeve patrulluese sociale, ndërsa ka edhe plotësim të shërbimeve mjekësore. Ai tha se si rezultat i trajtimit të të pastrehëve, dhjetë persona në tetë vitet e kaluara janë punësuar dhe kujdesen për tjerët. Të pastrehët thonë se janë të kënaqur nga kushtet që u ofrohen në këtë pikë. Por, kërkojnë mundësi nga institucionet që të mund të gjejnë punë dhe të kenë shtëpitë e tyre.
I PASTREHË
“Mirë është, më mirë këtu se dikund tjetër”
I PASTREHË
“Kemi probleme, sepse nuk kemi shtëpitë tona dhe nuk mund të jetojmë, vijmë këtu si të pastrehë të na ndihmojmë”
I PASTREHË
“Vend më të mirë se këtu nuk ka, këtë e them me siguri. Unë personalisht jam i falënderuar që vij në këtë vend. Njerëzit janë të dashur dhe çfarëdo pune që dëshiron ta përfundosh, ta përfundojnë këtu”
Të pastrehët thonë se nëpër rrugët e kryeqytetit shohin edhe shumë persona të tjerë të pastrehë që flejnë rrugëve dhe nuk i shfrytëzojnë shërbimet e kësaj pike, por se numri i tyre nuk dihet. /Mefail Ismail

