Në buxhetin e vitit të ardhshëm, Qeveria ka planifikuar shumën më të ulët deri më tani, dedikuar për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe për mbrojtjen nga ndojtja e ajrit. Për këtë kanë reaguar nga organizata ekologjike O2. Në reagim theksohet se në buxhetin e vitit 2018 për mbrojtjen e ambientit jetësor janë dedikuar vetëm 0.4% e të gjitha shpenzimeve të planifikuara. Nëse shikohet në mënyrë specifike sa janë ndarë mjete për uljen e ndotjes, problem kryesor që tangon Maqedoninë, rezulton se për vitin 2018 janë ndarë 1.7 milion euro, prej te cilave për uljen e ndotjes së ajrit bashkë me monitorimin janë ndarë vetëm 635 mijë euro. Nga kjo organizatë thonë se Qeveria arsyetohet se në mbrojtjen e ambientit përfshin edhe projektin për gazifikim të Maqedonisë.
Organizata O2
“Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikim Hapsinor është një nga ata ministri me realizim të dobët kronik nga planifikimet. Të mos themi fiks, por rreth 70%. Mbrojtja e ambientit jetësor qëndron pak më mirë. Por me çka lidhet realizimi kaq i ulët i Buxhetit edhe ashtu të vogël, për ne është e qartë, por presim që të na shpjegojnë si nga Ministria e Ambientit ashtu edhe nga Ministria e Financave. Ajo që ne e dimë është se kjo praktikë patjetër të ndërpritet, duke filluar nga 2018.”
Nga kjo shoqatë thonë se ironia është më e madhe nëse analizohet fakti se shuma e ndarë për mbrojtjen e ambientit është dukshëm më e vogël sesa taksat që mblidhen pikërisht në emër të kësaj mbrojtje.
Organizata O2
“Nëse i shikojmë vetëm tatimet e mbledhura lidhur me ambientin jetësor në 2015, pasi nuk ka të dhëna më të reja, atëhetë ata janë 15 herë më shumë sesa shuma e ndarë për Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikim Hapsinor në vitin 2018. Kjo nënkupton se Ministria e Ambientit ka pasur bazë që të kërkojë buxhet prej 3% nga shpenzimet, ndërsa për mbrojtjen e ambientit jetësor është dashur të ndahen 4.4%”
Por, në këtë shumë, thonë nga Organizata O2 nuk është llogaritur rritja e akcizës së naftës e cila edhe më shumë rritë shumën e mjeteve të grumbulluara në buxhet, pikërisht në emër të ambientit jetësor. Arben Zeqiri /SHENJA/

