Azir Aliu
Para, gjatë dhe pas Ditës Ndërkombëtare tëPunëtorëve, hapësira mediatike dhe publike çdo vit mbushet me fjalë që i shqiptojmë me intensitet të ndryshëm: punë, pagë, dinjitet, të drejta e siguri. Qëllimi pas këtyre mesazheve është i mirë, të rikujtohet nevoja për respektimin e punëtorit dhe avancimin e dinjitetit të tij të përgjithshëm në sistem. Por, çfarë do të thotë në të vërtetë të respektosh punëtorin?
Kujtesa dhe përvoja jonë kolektive e lidhin më shpesh respektin për punëtorin me nivelin e pagës, orarin e punës, të drejtën për pushim, sigurinë sociale dhe zërin e tij në shoqëri. Por në kohën në të cilën jetojmë, kjo nuk mjafton më. Punëtori nuk është vetëm një kategori ekonomike, as një numër në statistikat e produktivitetit të proceseve ku merr pjesë me punën e tij. Ai është një njeri me trup që lodhet, me zemër që reagon ndaj presionit, me mushkëri që thithin ajrin që ne ia lëmë, me një familje ku duhet të kthehet jo vetëm i paguar mjaftueshëm, por edhe i shëndetshëm.
Pikërisht për këtë arsye, shëndeti i punëtorit nuk përfundon me pagën. Kjo fjali sot ka më shumë peshë se më parë, sepse kushtet në të cilat punohet po ndryshojnë më shpejt se zakonet tona dhe refleksionet institucionale. Ajo që dikur e quanim “kushte të vështira klimatike”, sot gjithnjë e më shpesh po shndërrohet në rrezik shëndetësor. Nxehtësia nuk është më vetëm një temë klimatike për të cilën flitet në muajt e verës, por një temë e punës, e sigurisë publike, e mjekësisë urgjente dhe e shëndetit parandalues.
Kriza klimatike për një kohë të gjatë është perceptuar si çështje e natyrës: e pyjeve, lumenjve, bujqësisë, energjetikës dhe mjedisit jetësor. Por gjuha e saj më konkrete gjithnjë e më shpesh nuk është ajo e raporteve klimatike, por gjuha e trupit të njeriut: dehidratim, lodhje ekstreme, goditje nga nxehtësia, përkeqësim i sëmundjeve kronike, puls i përshpejtuar, vështirësi në frymëmarrje, përqendrim i dobësuar, rrezik më i madh për lëndime.
Me fjalë të tjera, kriza klimatike po bëhet pjesë e diagnozës shëndetësore të kohës sonë.
Ajo nuk vjen njësoj te të gjithë ne; secili përballet me pasojat e saj në mënyrë të ndryshme, të individualizuar. Pasojat i ndjejnë të parët ata që nuk kanë privilegjin të strehohen lehtë: punëtori i ndërtimit që qëndron mbi beton që reflekton nxehtësinë; bujku që nuk mund ta shtyjë punën sepse prodhimi ndjek ritmin e natyrës, jo ritmin e nevojave sociale të njeriut; korrieri, punëtori i rrugës, zjarrfikësi, polici, punëtori në një hapësirë industriale, por edhe punonjësi shëndetësor i cili, në ditë me presion të shtuar, e ndjen nxehtësinë jo vetëm si temperaturë, por edhe si barrë shtesë mbi sistemin.
Në zyrë, vala e të nxehtit shpesh është një shqetësim që mund të rregullohet me kondicioner, punë nga shtëpia ose ndryshim të ritmit ditor. Në kantier, në arë, në rrugë, në një impiant prodhimi apo në një mjet pa kushte të përshtatshme, ajo bëhet diçka shumë më serioze: pjesë e vetë kushteve në të cilat kryhet puna.
Në vitin 2025, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore Meteorologjike paralajmëruan se stresi nga nxehtësia në vendin e punës po bëhet një sfidë globale shoqërore. Analizat e tyre tregojnë se ngjarjet ekstreme të nxehtësisë po bëhen më të shpeshta dhe më intensive, me rreziqe si për punëtorët në ambiente të hapura, ashtu edhe për ata në ambiente të mbyllura. Pasojat shëndetësore nuk janë abstrakte: goditje nga nxehtësia, dehidratim, çrregullime të funksionit të veshkave, çrregullime neurologjike dhe pasoja afatgjata për shëndetin dhe sigurinë ekonomike të njerëzve. Të njëjtat analiza tregojnë se produktiviteti i punëtorëve ulet me 2 deri në 3 për qind për çdo gradë mbi 20°C sipas indeksit të stresit të nxehtësisë.
Në këtë kontekst të ri shoqëror, gjithnjë e më të ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike, shqetësimi i parë i sistemit shëndetësor nuk duhet të jetë kurrë vetëm ora e humbur e punës. Shqetësimi i parë duhet të jetë njeriu që mund të humbasë shëndetin.
Nga kjo perspektivë, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve merr një kuptim të ri, bashkëkohor. Historikisht, ajo ishte simbol i luftës për orarin e punës, për pagën, për organizimin sindikal, për të drejtën që punëtori të mos shterojë si material në ritmin industrial të epokës së fabrikave. Sot, në epokën klimatike, e njëjta betejë vlerash merr një formë të re: e drejta për kushte të sigurta në një botë që bëhet më e nxehtë, më e paparashikueshme dhe më e ashpër ndaj atyre që punojnë me trupin e tyre.
Maqedonia e Veriut nuk është jashtë këtij realiteti. Përkundrazi, si vend i ekspozuar ndaj valëve të të nxehtit, zjarreve, përmbytjeve dhe rreziqeve të tjera klimatike, ne duhet gjithnjë e më seriozisht ta artikulojmë paqëndrueshmërinë klimatike si pjesë të agjendës shëndetësore.
Është e rëndësishme të theksojmë se nuk nisim nga zeroja. Maqedonia e Veriut ka një Plan Kombëtar të Veprimit për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit mbi shëndetin e popullsisë, me qëllim zvogëlimin e rasteve të sëmundjeve dhe vdekjeve të lidhura me temperaturat ekstreme dhe valët e të nxehtit. Kjo është një bazë e rëndësishme institucionale, sepse tregon se nxehtësia tashmë është e njohur si rrezik i shëndetit publik, e jo vetëm si shqetësim klimatik.
Por sot duhet të jemi të sinqertë: ekzistenca e një plani, protokolli apo rekomandimi nuk është e mjaftueshme. Në një kohë kur valët e të nxehtit bëhen më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive, nevojitet një mobilizim më i gjerë institucional dhe zhvillim i një ndjeshmërie sistemore për këtë problem. Kjo do të thotë që çdo institucion – nga shëndetësia dhe inspektoratet e punës, te komunat, punëdhënësit, sindikatat, shkollat, shtëpitë e të moshuarve, shërbimet e mbrojtjes dhe shpëtimit dhe mediat – duhet të dijë kur fillon rreziku, kë prek më shumë, si komunikohet paralajmërimi dhe kush duhet të veprojë konkretisht.
Si ministër i shëndetësisë, këtë çështje e shoh para së gjithash si një çështje parandalimi. Sistemi shëndetësor nuk duhet të jetë vetëm stacioni i fundit, vendi ku njeriu arrin kur trupi tashmë e ka humbur betejën me nxehtësinë, lodhjen apo sëmundjen kronike. Detyrimi ynë është ta njohim rrezikun më herët, ta emërtojmë më qartë dhe të veprojmë më të organizuar.
Në këtë drejtim, digjitalizimi mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm si instrument për paralajmërim në kohë, komunikim të targetuar dhe reagim më të shpejtë. Në botë tashmë po zhvillohen mjete digjitale që nuk dërgojnë vetëm një mesazh të përgjithshëm se “do të jetë nxehtë”, por paralajmërime të drejtuara ndaj grupeve konkrete të cenueshme. Një shembull i tillë është aplikacioni mobil MotherHeat Alert, i zhvilluar në kuadër të një projekti ndërkombëtar për nxehtësinë dhe shëndetin, i cili synon të paralajmërojë gratë shtatzëna, gratë pas lindjes dhe punonjësit shëndetësorë të lidhur me kujdesin amësor kur rritet rreziku nga nxehtësia në zonën e tyre, së bashku me këshilla konkrete për mbrojtje. Kjo është thelbi i parandalimit digjital në shëndetësi – jo vetëm shpërndarje informacioni, por mesazh i hershëm, i synuar dhe i zbatueshëm.
Një logjikë e ngjashme sistemore mund të zhvillohet edhe tek ne. Në ditët me rrezik të lartë nga nxehtësia, një sistem digjital mund të dërgojë njoftime në kohë te mjekët amë, komunat, punëdhënësit, institucionet shëndetësore, shtëpitë e të moshuarve dhe qytetarët nga kategoritë më të cenueshme. Punëdhënësit do të merrnin rekomandime të qarta për orarin e punës, pushimet, ujin dhe strehimin; mjekët do të paralajmëroheshin t’ú kushtojnë vëmendje pacientëve kronikë dhe të moshuar; komunat do të mund të aktivizonin më shpejt masat lokale, ndërsa institucionet shëndetësore do të përgatiteshin në kohë për rritje të numrit të pacientëve me simptoma të lidhura me nxehtësinë.
Në këtë mënyrë, digjitalizimi e tejkalon idenë e modernizimit administrativ dhe merr një funksion më të rëndësishëm – bëhet pjesë e parandalimit në shëndetin publik: një sistem që paralajmëron, lidh dhe orienton; një sistem që nuk pret që pasoja të shfaqet në një qendër urgjence, por ndihmon që rreziku të ndalet aty ku lind – në vendin e punës, në shtëpi, në rrugë, në komunitet. Politika më e mirë shëndetësore shpesh është ajo që ka parandaluar dikë të bëhet pacient.
Organizata Ndërkombëtare e Punës paralajmëron se ndryshimet klimatike krijojnë një “koktej” rreziqesh serioze për shëndetin e punëtorëve, ku rreth 70 për qind e fuqisë punëtore globale është e ekspozuar ndaj rreziqeve të mundshme shëndetësore të lidhura me klimën. Këto rreziqe nuk kufizohen vetëm në nxehtësi, por përfshijnë edhe rrezatimin ultravjollcë, ndotjen e ajrit, pesticidet, rritjen e rrezikut për lëndime, sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare, çrregullime të veshkave dhe pasoja në shëndetin mendor.
Kriza klimatike na tregon se shëndeti është shumë i rëndësishëm për t’u lënë brenda kufijve të një sektori të vetëm. Nevojitet koordinim me inspektoratet e punës, punëdhënësit, sindikatat, komunat, institucionet arsimore, qendrat për punë sociale, Kryqin e Kuq, shërbimet e mbrojtjes dhe shpëtimit dhe mediat. Shëndeti i punëtorit në kushte të nxehtësisë ekstreme është përgjegjësi e përbashkët, jo një kompetencë administrative që mund të zhvendoset nga një institucion te tjetri.
Por ndryshimi më i rëndësishëm – dhe më i vështiri – është kulturor. Për shumë kohë kemi romantizuar qëndrueshmërinë si virtyt, edhe kur ajo ishte vetëm një emër tjetër për shëndet të neglizhuar. Shpesh, punëtori që duron konsiderohej “i fortë”, ndërsa ai që kërkon pushim, ujë apo mbrojtje – si dikush që nuk përballon. Kjo kulturë duhet të ndryshojë. Në kohë të ekstremeve klimatike, pushimi nuk është dobësi, por parandalim; qasja në ujë është mbrojtje bazë; hija është kusht sigurie.
Në mjekësi dihet mirë se trupi zakonisht paralajmëron para se të dorëzohet: marramendje e lehtë, dobësi, dhimbje koke, të përziera, puls i përshpejtuar, konfuzion, ulje e përqendrimit. Sinjale që shpesh neglizhohen në një ditë pune ku detyra duhet përfunduar, norma duhet arritur, afati duhet kapur. Por pikërisht në këto paralajmërime të vogla qëndron hapësira për parandalim. Sistemi që i injoron, më vonë paguan një çmim shumë më të lartë – njerëzor, shëndetësor, ekonomik dhe moral.
Ideja nuk është që çdo ditë e nxehtë të shpallet krizë, por që shteti të dijë kur nxehtësia pushon së qeni vetëm një gjendje moti dhe bëhet rrezik shëndetësor. Dallimi mes improvizimit dhe politikës qëndron pikërisht këtu: politika di të njohë rrezikun, të caktojë përgjegjësi dhe të veprojë përpara se pasoja të bëhet tragjedi.
Prandaj, vendin e punës duhet ta shohim si një mjedis shëndetësor – si një vend ku çdo ditë krijohet, ruhet ose humbet shëndeti. Në epokën e ndryshimeve gjithnjë e më të ashpra klimatike, punë dinjitoze do të thotë edhe punë e sigurt për shëndetin.


