Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi në seancën që po zhvillohet në Gjykatën Administrative kundër prokurorit Ols Dado se mandati i kryetarit të bashkisë “nuk mund të trajtohet si plaçkë”, duke pretenduar se është larguar padrejtësisht nga detyra.
“Dikush ka veshur uniformën e shtetit dhe më ka rrëmbyer nga zyra. Pesha juaj është të riktheni besimin te drejtësia. Nëse më rrëmbyen mua, mund të rrëmbejnë këdo tjetër,” u shpreh Veliaj para gjykatës.
Ai tha se mungesa e tij ndihet si në familje ashtu edhe në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, duke shtuar se “është pesha e këtij gjykimi që do të rikthejë besimin te drejtësia”.
Deklaratat u bënë gjatë shqyrtimit të kërkesës së Shoqatës për Asosacionin për Media dhe Drejtësi për t’u pranuar si ndërhyrëse kryesore në proces. Përfaqësuesi i saj ligjor, Ndreca, argumentoi se shoqata ka interes të ligjshëm pasi rezultati i gjykimit lidhet drejtpërdrejt me interesat e saj, ndërsa Veliaj kërkoi që kjo kërkesë të pranohet.
Nga ana tjetër, avokati i prokurorit Ols Dado, Erarbër Madhi, kërkoi rrëzimin e kërkesës për ndërhyrjen e shoqatës në proces. Gjykata pritet të vendosë mbi këtë kërkesë.



