Shënohet rreth 1 vit që nga vdekja e vogëlushit 3 vjeçar, Brian Spahiu, i cili ndërroi jetë pas një ndërhyrje në klinikën dentare private, në pronësi të Rolando Xhaxhos.
Gazetari Igli Çelmeta ka zbardhur disa detaje të reja lidhur me ecurinë e hetimeve që po kryhen për këtë çështje, por gjithashtu përgjigjet shokuese të Prokurorisë së Tiranës.
Përmes një raportimi, Çelmeta shprehet se familjarët e 3 vjeçarit kanë kërkuar informacione nga organi i akuzës mbi gjendjen e hetimeve, por përgjigjia nuk është aspak e kënaqshme, madje mund të cilësohet si një gafë.
Prokuroria e Tiranës i është përgjigjur familjes Spahiu se nuk kanë të drejtë të kërkojnë informacion mbi gjendjen e procedimit. Ajo çfarë shokon është fakti se ka vijuar duke thënë se vetëm viktima e veprës penale mund të marrë përgjigje mbi ecurinë e hetimeve.
“Nisur nga më sipër, ju bëj me dije, që, ju si trashëgimtar i viktimës së veprës penale sipas dispozitave ligjore të këtij kodi, nuk keni të drejtë të kërkoni informacion për gjendjen e procedimit.
Këto të drejta sipas parashikimeve ligjore të këtij kodi, konkretisht neni 58, pika d) i ka vetëm viktima i veprës penale dhe gjithmonë pa cënuar parimin e sekretit hetimor. Ndërsa të drejtën për të kërkuar informacion lidhur me arsyet e kryerjes apo jo të një veprmi hetimor nga ana e prokurorit, siç jeni drejtuar me disa pyetje “retotike” në kërkesën tuaj nuk e ka as viktima e veprës penale, pasi këto lloj pyetjesh cënojnë pavarësinë e prokurorit dhe kompetencat e tij në ushtrimin e ndjekjes penale”, replikon Prokuroria e Tiranës drejt familjarëve të 3 vjeçarit Brian Spahiu.
Një përgjigje e tillë nuk mund të konsiderohet normale, pasi një person që ka ndërruar jetë, nuk mund të kërkojë informacion se si po vijojnë hetimet ndaj çështjes së tij.
Kujtojmë se më herët raportuam që Prokuroria e Italisë ka kthyer pas ekspertizën mjekoligjore të vdekjes së të miturit, për shkak të mungesës së dokumentacionit. Organi i akuzës shqiptare ka dërguar në letërporosi vetëm letrat dhe jo mostrat e plota.
Kjo letërdërgesë është dërguar nga Prokuroria e Tiranës drejt Italisë disa muaj më parë, për të kryer një ekspertizë mjekoligjore, një mënyrë që të përcaktohet shkaku i vdekjes së 3 vjeçarit, Brian Spahiu. Nga ana tjetër, familjarët e të miturit kanë kundërshtuar që ekspertiza mjekoligjore të ribëhet në Itali.
Ekspertiza mjekoligjore që u bë nga IML rezultoi se shkak për vdekjen fatale të 3 vjeçarit u bë anestezia, e vendosur në klinikën dentare të mjekut Roland Xhaxho. Por prokuroria e Tiranës kërkoi të bëhej ekspertiza mjekoligjore në Itali, pasi sipas organit të akuzës akti i parë i ekspertizës ishte i paplotë , konkluzioni ishte i pasaktë dhe se mungonin ekspertët e fushës për të dhënë përgjigje për të gjitha pyetjet.
Gazetari Igli Çelmeta, raporton se Prokoruria e Tiranës ka marrë në pyetje vetëm një mjek në QSUT, ndërsa të tjerët që kanë qenë kurim nuk janë marrë në pyetje kur 3-vjeçari ishte i shtruar te pediatria e QSUT, pasi kishte bërë ndërhyrje në dhëmbë te klinika e Roland Xhaxhos. Kur 3-vjeçari u shtrua në QSUT e kanë asistuar të paktën 6 mjekë.
Ndërkohë, Prokuroria ka sekuestruar kartelën e të miturit te QSUT-ja, por nuk ka lënë asnjë kopje për familjarët.
Çelmeta raporton se familjarët e 3 vjeçarit kanë kërkuar vazhdimisht informacion nga prokuroria lidhur me hetimet, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Përgjigja që kanë marrë “Ju si trashëgimtarë të viktimës nuk keni të drejtë të informoheni gjatë hetimit, kur të mbarojnë hetimet do u pajis me dosjen”.
3-vjeçari Brian Spahiu ndërroi jetë ne reanimacionin e Pediatrisë më datë 1 tetor 2023, tre ditë pas një mjekimi që kreu në 14 dhëmbë në klinikë dentare në kryeqytet të mjekut Roland Xhaxho.
LEXONI EDHE: