Pesë persona janë arrestuar nga policia e Shkodrës në kuadër të operacionit të koduar “Rent Home 3”, duke goditur një tjetër rast të ushtrimit të prostitucionit.
Policia bën me dije se në pranga janë vënë tre shtetase nga Kolumbia, 48, 32 dhe 27-vjeçe, që ushtronin prostitucion në dy apartamente me qira, ndërsa dy të tjerët janë shqiptarë. Dy shqiptarët e arrestuar janë të moshave 24 dhe 28 vjeç.
Po ashtu, nën hetim u vu edhe personi që kishte dhënë me qira apartamentet. Policia thekson se ka sekuestruar një shumë parash, e dyshuar si e përfituar nga prostitucioni, si dhe 6 telefona celularë.
Njoftimi i Policisë:
“Shkodër / Finalizohet operacioni policor i koduar “Rent Home 3”, goditet një tjetër rast i prostitucionit.
Vihen në pranga 3 shtetase kolumbiane, që ushtronin prostitucion në dy apartamente që i kishin marrë me qira.
Vihen në pranga edhe 2 shtetas për prostitucion, si dhe procedohet penalisht shtetasja që ua kishte dhënë me qira apartamentet.
Sekuestrohet një shumë parash, e dyshuar si e përfituar nga prostitucioni, si dhe 6 telefona celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Rent Home 3”.
Si rezultat i këtij operacioni, u zbulua një apartament në lagjen “3 Heronjtë”, ku ushtrohej prostitucion.
Në kuadër të operacionit u arrestuan 5 shtetas, të kapur në ambientet e apartamentit, konkretisht:
shtetaset kolumbiane A. M., 48 vjeçe, P. B., 32 vjeçe dhe D. R., 27 vjeçe, të cilat kishin marrë me qira apartamentin dhe e kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit;
-F. V., 28 vjeç, banues në fshatin Vermosh, dhe K. G., 24 vjeç, banues në Bajzë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen D. D., 27 vjeçe, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.


