Edhe pse zyrtarisht është shkarkuar nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, emri i Belinda Ballukut vijon të përmendet si figurë me ndikim në institucionet në varësi të kësaj ministrie.
Kështu pohojnë vetë drejtorët e MIE-së gjatë një investigimi të emisionit “Fiks Fare”, ku gazetarja u prezantua sikur po kërkonin punë dhe shfaqej edhe si “mikeshë e Belës”.
Edhe pse në dokumentet zyrtare, drejtimi i ministrisë i është besuar një ministri tjetër, Enea Karakaçit, në bisedat e regjistruara nga “Fiks Fare”, disa prej drejtuesve të institucioneve të varësisë flasin për Belinda Ballukun si “shefe” dhe i referohen ndikimit të saj në emërime, punësime dhe marrëdhëniet me drejtuesit.
“Pa merak, nëse je mikeshë e shefes, je dhe e imja”, “Enea është djalë i mirë, po pate marrëdhënie, shko takoje. Se ai me Belën, Bela e ka çuar aty atë, mbase thotë ndonjë llaf”, ” Shefja është shefja, ministri…”, shprehet drejtorët për Ballukun dhe Karakaçin.
Një prej drejtorëve është Maksim Et’hemaj, Drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar. Në bisedën me gazetaren, ai i referohet një punonjëseje të mediave dhe thotë se, nëse Balluku do të kërkonte zëvendësimin e saj, për të do të ishte “thjesht një emër”.
“Te pjesa këtu e mediave është mikeshë e Belës. Nëse Bela të thotë ty: ‘Do ta heq atë dhe do të të vë ty’, shumë mirë, më vjen mirë që ke kontakte. Këtu e kam një të mediave, nëse Bela do ta heqë, për mua është thjesht një emër’, thotë Maksim Et’hemaj.
Ndërsa kur gazetarja e pyet se çfarë do të ndodhte nëse Balluku do të kërkonte edhe punësimin e personave të tjerë, Et’hemaj përgjigjet se vendet jo teknike që ai ka në dispozicion janë të tyre.
Në një tjetër bisedë, Sokol Zaimi, drejtor i ISHT, i thotë gazetares se nëse ajo është “mikeshë e shefes”, atëherë është edhe e tija.
“Pa merak, nëse je mikeshë e shefes, je dhe e imja’, shprehet ai, ndërsa shton: “të kemi shefen mirë, ajo është e rëndësishme, pa ne ushtarë jemi. Ushtarët zëvendësohen kollaj, mbretëresha nuk zëvendësohet dot.”
Edhe Rapush Tola, Drejtor i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, në bisedën e transmetuar flet për rolin e Ballukut. Kur gazetarja e pyet për mundësitë e punësimit në institucion, Tola i sugjeron që të flasë me Belindën për një mundësi në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Thuaji (Belindës) të të rregullojë atje (MIE), i ka rrogat e mira, se vret mendjen, qetësohesh shpirtërisht. Po besoj, po të gjesh ndonjë mundësi që ajo (Belinda Balluku) t’i çojë ndonjë sinjal (Karakaçit)”, shprehet Tola, ndërsa thotë se ministri Enea Karakaçi është emëruar nga Balluku.
Në bisedën me këshilltarin në MIE, Flor Serjani, del sërish në diskutim roli i Ballukut. Serjani i thotë gazetares se vijon të punojë me Belën dhe se mbulon edhe PR-in e saj.
“Aty ku kam qenë, te Ministria, punoj dhe me Belën, mbuloj PR e Belës, i mbuloj të dyja”, thotë Flor Serjani, i cili më tej shton se tani Balluku “merret vetëm me hallin e vet…, tani po merret këtej me avokatët. Dosja po bëhet gati.”
Në fund, në bisedën me Genci Tërpon, drejtor i AKBN-së, gazetarja e pyet nëse institucionet janë ende në varësi të Ballukut. Tërpo përgjigjet se varësia institucionale është nga ministri Karakaçi, por “shefja është shefja”, duke iu referuar Belinda Ballukut.
Pjesë nga diskutimet:
Maksim Et’hemaj, Drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar
Maksim Et’hemaj: Mirëmëngjes, çfarë bëhet?
Gazetarja: Ç’thua ti, kur po diskutoja, se unë herë pas here takohem me shefen (Belinda Ballukun), edhe i thashë: “Aman, se jam mërzitur shumë aty”. Me aq sa fola, më bëri një rezyme të përgjithshme, që është një vend shumë i mirë që e shoh për ty, për koordinimin e mediave.
Maksim Et’hemaj: E kam!
Gazetarja: E ke?
Maksim Et’hemaj: Te pjesa këtu e mediave është mikeshë e Belës. Nëse Bela të thotë ty: “Do ta heq atë dhe do të të vë ty”, shumë mirë, më vjen mirë që ke kontakte. Këtu e kam një të mediave, nëse Bela do ta heqë, për mua është thjesht një emër.
Gazetarja: Mos u shqetëso fare.
Maksim Et’hemaj: Jo, “care” shumë është për njerëzit që thotë Bela, e ke gabim.
Gazetarja: Po Bela do thotë, fut edhe 10 të tjerë, çfarë do bësh ti pastaj?
Maksim Et’hemaj: Ato vendet që i kam jo teknike, të atyre janë. Se unë nuk kam interes fare.
Sokol Zaimi, drejtor i ISHT
Gazetarja: Si kam ardhur, faleminderit shumë për mirëpritjen.
Sokol Zaimi: Pa merak, nëse je mikeshë e shefes, je dhe e imja.
Gazetarja: Unë nuk e kam idenë fare se çfarë bëhet këtu me vendet vakante ose si jeni ju, me punët mirë? Ju kanë ngacmuar tani?
Sokol Zaimi: Këtë punë kemi ne tani, na ngacmojnë, na lënë rehat. Të kemi shefen mirë, ajo është e rëndësishme, pa ne ushtarë jemi. Ushtarët zëvendësohen kollaj, mbretëresha nuk zëvendësohet dot.
Gazetarja: Po mbretëresha është…
Rapush Tola – Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera
Gazetarja: Nuk e di hapësirën dhe mundësinë, qoftë edhe për koordinatore e projekteve të brendshme ose të jashtme, ose përfaqësuese të raporteve që kanë mediat. Dua të jem dhe pak më e lirë.
Rapush Tola: Këtu është, nuk besoj se gjen. Është institucion shumë i vogël, ky ka gjithsej 47 veta në organikë. Ne kemi vetëm një në Ministri që është me mediat. Me atë komunikojmë kur kemi ndonjë gjë për të thënë.
Gazetarja: Me Infrastrukturën?
Rapush Tola: Po.
Gazetarja: Jeni vartës të atyre. Tani ju vareni nga ministri?
Rapush Tola: Po, ne varemi direkt nga ministri. Bela e ka emëruar vetë atë (ministrin Enea Karakaçi). Thuaji (Belindës) të të rregullojë atje (MIE), i ka rrogat e mira, se vret mendjen, qetësohesh shpirtërisht. Po besoj, po të gjesh ndonjë mundësi që ajo (Belinda Balluku) t’i çojë ndonjë sinjal (Karakaçit). Edhe ajo ka hallet e veta, se i janë turr të gjithë si qen. Me Enean si i ke lidhjet, me ministrin?
Gazetarja: Me ministrin e kam shumë të mirë.
Rapush Tola: Është djalë i mirë Enea.
Gazetarja: Se di si i ka marrëdhëniet me Belën Enea.
Rapush Tola: Po Bela e vuri aty. Enea është djalë i mirë, po pate marrëdhënie, shko takoje. Se ai me Belën, Bela e ka çuar aty atë, mbase thotë ndonjë llaf.
Këshilltari në MIE, Flor Serjani
Gazetarja: Flor, si je?
Flor Serjani: Mirë, faleminderit. Ja, ashtu, me punë, me gjëra.
Gazetarja: Ti ku je tani?
Flor Serjani: Aty ku kam qenë, te Ministria, punoj dhe me Belën, mbuloj PR e Belës, i mbuloj të dyja.
Gazetarja: Kisha nevojë të takoja.
Flor Serjani: Unë do jem për nja një orë, një orë e gjysmë te Ministria, hajde dhe flasim.
Gazetarja: Fola çik, se me Belën shumë pak komunikim kam tani edhe erdha të të takoja ty, se…
Flor Serjani: Çfarë ka?
Gazetarja: Tani kanë gjetur një tokë në Fier, e kanë sipërfaqe shumë të mirë. Tani këto i kanë gati të gjitha dokumentacionet për t’i futur.
Flor Serjani: Problemi është këtu se, këtu kanë ndryshuar gjërat me ikjen e Belës dhe nuk dihet më se si janë tani. Bela ka drejtuesit e vet nëpër agjenci. Merret vetëm me hallin e vet. Këtë të minierave e ka sugjeruar Bela, se e ka nga Fieri, por për ta bërë e ka bërë ky (Karakaçi). E takova para dy ditësh (Belindën) dhe ajo tani po merret këtej me avokatët. Dosja po bëhet gati.
Genci Tërpo, drejtor i AKBN
Gazetarja: Tani këto janë në varësi të Belës akoma?
Genci Tërpo: Ideja është kjo, institucioni jonë është institucioni i vetëm teknik që kemi në Republikën e Shqipërisë dhe natyrisht që varësinë e kemi nga ministri Karakaçi. Shefja është shefja, ministri…
Gazetarja: Bela.
Genci Tërpo: Kemi edhe ministër, po mirë, dakord, do kemi edhe një ministër.
Gazetarja: Mirë o Genc, shumë faleminderit.
Genci Tërpo: Flasim për çdo gjë, kohë ke në dispozicion, më shkruaj, takohemi.
Gazetarja: Po fole (me Belindën), bëji të fala.
Genci Tërpo: Unë ka kohë që s’e kam takuar, ndoshta në fund të këtij muaji (gusht). Do t’i them unë (Belinda Ballukut), por ecim me këto gjëra, që të shikoj dhe unë se si është klima.
The post “Ushtarët zëvendësohen, mbretëresha jo!”- Belinda Balluku ministre edhe pas shkarkimit, dëshmitë e drejtorëve për “shefen”: Të jetë mirë ajo, se i janë turr të gjithë! Bela po merret me avokatët, dosja është gati appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


