Në parcelën ku duhet ngritur objekti i Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup edhe këtë vit do rriten shkurre të ndryshme ndërsa nisja e punimeve ndërtimore për këtë objekt universitar do të pres edhe një kohë të gjatë. Rektori i UNT-së Aziz Pollozhani tha se një ndër arsyet për vonesën e realizimit të projektit ishte edhe debati për rishikimin e buxhetit. Ai tha se javën që vjen do të hapet konkursi për zgjedhje ideore të objektit te UNT-së.
Siç dihet disa ditë, po mos të them edhe javë morim edhe faza e rebalancit, sepse duhej siguruar edhe mjete edhe për projektin ideor. Tanimë ato janë siguruar me rebalanc dhe ne javen tjetër besojmë që e hapim edhe konkursin për zgjidhje ideore në vendin ku është edhe i destinuar – deklaroi Aziz Pollozhani, rektor i universitetit “Nëna Terezë”.
Edhe pse konkursin për zgjedhjen ideore duhet ta bëj Ministria e Arsimit, kësaj radhe kjo iu la në dorë Universitetit “Nëna Terezë”. Zv ministri i arsimit Visar Ganiu tha se për këtë qëllim janë ndarë 4 milionë e 900 mijë denarë.
Ne në marrëveshje me Universitetin do ta vendosim se kush por pasi është Universiteti i vijës së parë, si interes publik mund të thotë që në aspektin ligjor ta hap edhe Universiteti “Nëna Terezë” por këtë do ta definojmë bashkërisht Ministria dhe Universiteti. Diku 4 milionë e 900 mijë denarë janë destinuar për këtë fazë, për fazën e projektit – tha Visar Ganiu, zv ministër i Arsimit.
E derisa të përfundojnë procedurat për projektimin ideor dhe të nisin punimet për këtë objekt të premtuar prej vitesh, procesi mësimor do të vazhdoj në hapësira e shkollës fillore Kongresi i Manastirit. Në mungesë të objektit përkatës regjistrimi i studentëve të rinj për vitin akademk 2017-18 do të zhvillohet në Qendrën Informative të hapur për këtë qëllim, në objektin e Lidhjes së Sindikatave ku gjithashtu është i vendosur edhe rektorati. Vitin e kaluar akademik 2016-17, kur edhe nisi me punë UNT-ja u lejua hapja e konkursit për punësimin e 84 profesorëve dhe asistentëve, mirëpo gjysma e këtyre vendeve nuk u plotësuan. Për këtë qëllim, në përgatitje të fillimit me punë të vitit akademik 2017-18 u desh të sigurohet edhe një herë leja për plotësimin e vendeve të mbetura të paplotësuara nga ai konkurs dhe njëkohësisht i vendeve të reja për administratën. Me vendimin e ri të Ministrisë së Arsimit u dha pëlqim për 63 vende të punës, prej tyre 43 për stafin akademik dhe 20 për stafin e administratës. Universitetin Nënë Terezë të cilin e kanë përcjell debate e polemika të shumta qoftë për kuadrin drejtues ashtu edhe për kapacitetet dhe nevojat, është promovuar në dhjetor të vitit 2015 nga ish kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski dhe ish ministri i arsimit Abdilaqim Ademi duke paraqitur në mënyrë pompoze edhe projektin për kampusin universitar, por përveç premtimeve ende nuk është bërë asgjë për ndërtesën moderne të premtuar nga ana e tyre.
Melihate Rustemi

