Komisioneri i Përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), Philippe Lazzarini tha se Rripi i Gazës është kthyer në një tokë dëshpërimi nën sulmet intensive izraelite, transmeton Anadolu.
“Sa kohë do të duhet që fjalët boshe të dënimit të kthehen në veprim për të hequr rrethimin, për të rivendosur armëpushimin dhe për të shpëtuar atë që ka mbetur nga njerëzimi?”, tha Lazzarini në X.
Ai theksoi se uria po thellohet dhe se kjo është bërë qëllimisht ndërsa Gaza është bërë një vend i dëshpërimit.
Komisioneri Lazzarini tha se dy milionë njerëz, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, i nënshtrohen dënimit kolektiv. Ai tërhoqi vëmendjen për faktin se të plagosurit, pacientët dhe të moshuarit janë të privuar nga furnizimet dhe kujdesi mjekësor.
Lazzarini shtoi se organizatat e ndihmave humanitare janë të gatshme të ofrojnë ndihma për palestinezët në Gaza. Sipas tij, kjo përfshin rreth 3.000 kamionë me ndihma të UNRWA-së.
“Ndihma humanitare po përdoret si mjet pazaresh dhe armë lufte. Rrethimi duhet hequr, ndihma humanitare duhet të vazhdojë, të burgosurit duhet të lirohen dhe duhet të rivendoset armëpushimi”, thuhet në deklaratë.