Viti i ri akademik është në prag dhe të gjithë maturantët janë në dilemë për të zgjedhur të ardhmen e tyre, që përcakton, edhe profesionin që do ndjekësh në të ardhmen.
Një nga mundësitë më të mira, sa i përket aspektit çmim, por edhe cilësisë së mësimdhënies dhe vlerës e rëndësisë së diplomës është Universiteti Luarasi. Rektori i këtij universiteti, Et’hem Ruka, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, tregoi degët që përmban Universiteti Luarasi dhe ambiciet e saj afatgjata.
Krahas degëve të juridikut, ekonomisë, mjekësisë dhe informatikës, këtë vit në Luarasi, do të ketë dhe një kurs tre mujor, për mbrojtjen kibernetike. Ruka sqaroi, se pedagogët e këtij kursi do të jenë ekspertë nga Izraeli dhe diploma që përfitohet pas përfundimit të kursit, do të njihet ndërkombëtarisht.
Kërkesat sipas tij kanë qenë të mëdha, pasi interesi për këtë kurs, është i lartë duke qenë se ka kërkesa tregu.
“Jemi në një periudhë përgatitore për vitin e ri akademik. Universiteti Luarasi është në evolucion e sipër për mirë. Është një universitet në rritje e që në qendër të punës. Kërkesat janë të larta. Universiteti Luarasi renditet në majën e maturantëve që e kanë zgjedhur atë. Është një universitet që vjen me degë të reja, është ajo e degëve të mjekësisë e në këtë universitet do të kemi fakultetin e farmacisë, infermierisë dhe stomatologjisë. Interesi ka qenë i lartë. Të interesuarit, të mos kenë dyshim në suksesin e këtij universiteti dhe pa hezitim ta zgjedhin universitetin. Ne kemi filluar dhe me akademinë kibernetike që është një lajm i mirë. Është një përpjekje 1 vjeçare bisedimesh, debatesh, me një nga kompanitë më të mira në Izrael, që është një njësi elitare për të gjithë botën, për sistemet mbrojtëse dhe të informacionin.
Kemi mbaruar bisedimet dhe në tetor do të hapim kursin e parë për sigurinë kibernetike. Qëllimi i këtij kursi janë mbrojtja e bankave dhe shumë sektorëve të tjerë. Kompania izraelite është një kompani lider dhe këto përvoja dëshiron t’i transmetojë te kursantët. Kursi zgjat prej 3 muajsh dhe diploma në fund njihet ndërkombëtarisht. Ata që mbarojnë kursin e sigurisë kibernetike, kanë shansin për të dhënë provime të tjera, të arta, të argjendta, bronzi, që janë nga më të mirat në Evropë dhe SHBA. Kjo është nevojë për mijëra specialistë të fushës kibernetike.
Ndaj ne kemi insistuar për të ecur me shpejtësi në këtë fushë, për t’i shërbyer vendeve të rajonit dhe Shqipërisë. Ne duam të ftojmë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja. Interesi është i madh, kursantët që ne kishim parashikuar është tejkaluar. Kjo është një arritje për Luarasin dhe vendin. Asgjë nuk mungon. Të gjithë profesorët janë izraelite. Më vonë do të ketë dhe profesorë të Luarasit. Kështu që kjo është një arritje e suksesshme e Luarasit. Sot ka njerëz të apasionuar pas teknologjive të informacionit dhe nuk duhet ta humbasin këtë rast, për një kurs që i hy shumë në punë”, tha Ruka.
Gjithashtu Ruka, citoi se për t’u bërë pjesë e kursit të mbrojtjes kibernetike, studentët, duhet t’i nënshtrohen një testi paraprak, sipas tij të përballueshëm. Gjithashtu, ai tha se Luarasi i ka dhënë rëndësi, krahas gjuhës angleze, edhe asaj gjermane, duke qenë se tregu është i interesuar për këtë gjuhë.
“Ata do të kalojnë një test paraprak, për të parë nivelin e tyre. Por gjithsesi është një test i përballueshëm. Shpresoj që të eci, jo vetëm për vendin, por të shtrihet edhe më gjerë. Ne i kemi dhënë përparësi gjuhës gjermane, sepse ka interes. Ne do të hapim kurse te Luarasi për gjermanishten. Këto kurse fillojnë me vitin e ri akademik, them se do të jenë të suksesshme, sepse ne kemi studiuar tregun dhe kemi parë që ka interes”, u shpreh rektori i Luarasit.
Rektori Et’hem Ruka, nënvizoi se diplomat e Luarasit janë mëse të vlerësueshme në treg dhe në të shumtat e rasteve, studentët që përfundojnë studimet pranë këtij universiteti, adaptohen me lehtësi në tregun e punës.
“Nëse një sistem qëndron në vend është i destinuar të shkatërrohet. Më parë Luarasi ishte kolegj me dy universitete, juridik dhe ekonomik. Më vonë hapëm dhe dy të tjera. Ndërsa tanimë me hapjen e fakultetit të ri, Luarasi bëhet me 5 universitete. Këto gjëra nuk bëhen vetë, kërkojnë punë, dije. Me Luarasin nëse ka një avantazh sot, ka pikërisht cilësinë. Diplomat e Luarasit janë të vlerësuara në tregun e punës dhe rreth 80% fillojnë punë pas përfundimit të studimit. Vlera e diplomës së Luarasit është e vlerësuar. Kjo gjë nuk arrihet lehtë, arrihet me punë. Gjëja kryesore që mban në këmbë një institucion është cilësia. Luarasi është shkollë dhe ky është avantazhi i këtij institucioni”, citoi Ruka.
Rektori Ruka tregoi një nga ambiciet e Luarasit e cila është njohja e diplomës ndërkombtarisht. Ai theksoi se është duke u punuar në këtë drejtim dhe brenda vitit të ardhshëm, kjo ëndërr mund të bëhet realitet.
“Bashkëpunimet janë të rëndësishme për një universitet. Pa bashkëpunime cilësitë e universitetit nuk arrihen. Luarasi ka lidhur shumë partneritete me universitete të huaja. Kemi nënshkruar shumë marrëveshje. E rëndësishme është nisja e diskutimit për njohjen e diplomave. Ne jemi duke punuar në këtë aspekt. Ne kemi nënshkruar disa marrëveshje konfidenciale, presim mysafir në shator për të parë Luarasin. Ëndrra ime është që studentëve tanë t’u njihet diploma ndërkombtarisht. Kjo mund të arrihet vitin tjetër. Ky është synimi im, i partnerëve tanë dhe ne po luftojmë fort për të arritur këtë objektiv. Deri tani s’kemi gabuar askund, ne kemi realizuar detyrat tona dhe është koha që këtyre projekteve t’i japim jetë”, citoi Ruka.
Për akademikun, e një rëndësie të veçantë është vendosja e studentëve përballë sfidave, e duke shikuar zgjidhjet inovative që ata përdorin. Kjo praktikë e të punuarit është mohuar dy vitet e fundit te Luarasi për shkak të pandemisë, ndërsa Ruka shtoi se këtë vit, pritet që kjo praktikë të vendoset sërish në veprim. Ai gjithashtu tergoi arsyet, se përse një maturant duhet të zgjedhë Universitetin Luarasi.
“Synimi ynë është jeta normale e universitetit. Që do të thotë universiteti duhet të funksionojë si një shkollë e vërtetë. Kjo do të thotë mësim, kualitet i mësimdhënies. Është për të ardhur keq që në Shqipëri kemi studentë të mirë, por nuk i vendosim përballë sfidash për të parë fuqitë e tyre inovative. Ne e kemi provuar këtë para dy vitesh, por prej pandemisë se kemi bërë më. Kur ne kemi realizuar këtë miniprojekt kemi parë që kemi studentë të mrekullueshëm. Do të kisha shumë dëshirë nëse universiteti do të jetë normal e jo online, këtë frymë ta ushqejmë te Luarasi dhe ti vendosim studentët përballë sfidave dhe të kërkojmë prej tyre që të japin zgjidhje të reja, inovative. Këtë duhet ta fillojmë që në shkollë. Kemi shumë mekanizma për të motivuar studentët. Kryesorja është që t’i japim jetë fakultetit të shkencave natyrore. Ne duam që ky fakultet të jetë lider si të tjerat. E jam i sigurt që këtë do e arrijmë. Mbi të gjitha unë kam takuar maturantët shqiptarë me takimet me ta. Këtë vit i kam pasur mundësitë e kufizuara prej pandemisë, por kur nuk ekzistonte pandemia, nuk jam lodhur duke takuar maturantët nga Saranda në Kukës.
Në fillim kam menduar që edhe për arsye të diferencës së moshave s’do gjeja auditor që do të më pëlqente shumë. Por ka ndodhur e kundërta. Ky është një brez që do shumë dashuri, e po nuk ua dhe, nuk merr dashuri. Gjysma e maturantëve duan të bëhen mjekë, infermierë, stomatologë. E ne nuk kemi pse t’ia prishim këtë mundësi. Universiteti Luarasi është një mundësi e re për maturantët dhe këtë e tregon numri i lartë i studentëve që kanë zgjedhur Luarasin. Maturantët kanë pyetje të shumta, sepse janë në një fazë delikate për të ardhmen e tyre. Unë prej vitesh jetoj si pedagog. Zgjedhja e profesionit të ardhshëm s’është zgjidhje e lehtë. Unë mundohem t’u sqaroj se çfarë është një universitet i mirë. Njeriu nuk jeton me dinjitet veç dijes që merr në shkollat e larta. Për mua është e rëndësishme që mësuesit e universitetit, pikë së pari duhet të jenë njerëz, duhet të njohin studentët, duhet të njohin nga vijnë, interesat e tyre, duhet të falin dashuri. Pedagogët s’janë xhelatë, por njerëz. Për mua këtë objektiv duhet ta kenë të gjithë për të motivuar studentët e tyre. S’ka studentë të këqij, por ne s’jemi në gjendje për të punuar me ta. Dua tu bëj thirrje maturantëve, atyre që kanë zgjedhur Luarasin, të mos kenë hezitim të vijnë. Numri këtë vit akademik do të jetë më i lartë te ne, se sa vitin e kaluar”, përfundoi Ruka.