Një kapitull i bukur i verës u mbyll sot mes buzëqeshjeve, emocioneve dhe duartrokitjeve të nxënësve. Pas javësh të mbushura me mësim, aktivitete edukative, kreativitet dhe shoqëri, Shkolla Verore 2026 solli ceremoninë përmbyllëse. Aktiviteti, i organizuar nga Organizata Kulturore Humanitare „Merhamet” në bashkëpunim me Shoqaten Kulturore „Vizioni M”, mblodhi nxënësit në ambientet e shkollës ‘Marif’ në Tetovë për të shënuar përfundimin e kësaj përvoje, gjatë së cilës ata zhvilluan njohuri dhe aftësi të reja.
Ceremonia filloi me leximin e disa ajeteve kuranore, ndërsa gjatë programit u rikujtuan edhe momentet më të bukura të kësaj vere, përmes aktiviteteve të përgatitura nga vetë nxënësit.
Ndërkohë, Xhihad Useini, përgjegjës i Organizatës Kulturore Humanitare „Merhamet“ dhe Shoqatës Kulturore „Vizioni M“ në Tetovë, theksoi se ideja për organizimin e Shkollës Verore lindi nga dëshira për t’u ofruar nxënësve të shkollave fillore një hapësirë edukative dhe argëtuese gjatë pushimeve verore, ku përveç mësimit të gjërave të reja, ata të kalojnë kohë cilësore dhe të argëtohen.
Xhihad Useini, përgjegjës i organizatës kulturore humanitare Merhamet dhe shoqatës kulturore Vizioni M ne Tetovë
“Qëllimi kryesor ka qenë që përpos asaj tu mësojmë diçka të re nxënësve apo të kalojnë disa momente në shoqatë që fëmijët gjatë periudhës së verës pra, nuk kanë ndonjë angazhim në shkollë edhe pse 9 muaj kanë ndjekur mësime në shkollë, fëmija me vetëdëshirën e tij të ketë qef të vijë të mësoj diçka, dhe duke parë se si ka ecur kjo shkollë verore apo me bisedat që i kemi pasur me nxënësit në fund të shkollës verore, dhe kur gjithë ata thonë se do vijnë edhe vitin e ardhshëm do marin pjesë në këtë shkollë verore besoj se ja kemi aritur qëllimit dhe e kemi bërë një ambient ku nxënësit do ta kalojnë verën apo pushimet verore”.
Ndërkohë, Taxhudin Shabani, kryetar i Shoqatës Kulturore „Vizioni M“, theksoi se përmes Shkollës Verore synohet që koha e lirë e fëmijëve të ketë përmbajtje më të dobishme dhe domethënëse, duke u dhënë mundësi të shprehin aftësitë dhe të zbulojnë talentet e tyre.
Taxhudin Shabani, kryetar i shoqatës kulturore ‘Vizioni M’
“Shkolla verore, ka për synim qëllimin që fëmijët tanë të jenë në një gjendje që sfondi i tyre hapësinor dhe kohor të ketë përmbajtje më domethënëse. Shkolla verore për fëmijë tenton që fëmijët pikësëpari të kenë mundësi për një relaksim të plotë, të kenë hapësira dhe kohën që të shprehin shkathtësitë e tyre, të kenë mundësi që me lojëra përfaqësore të zhvillojnë inteligjencën e tyre dhe të zbulojnë talentet e tyre”.
Ndërsa, drejtoresha e Shkollës „Marif“ në Tetovë, Nurxhan Sucu Bashë, u shpreh e kënaqur që kjo ceremoni u zhvillua në ambientet e shkollës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe mikpritjen e treguar për organizimin e kësaj veprimtarie.
Ndërkaq në kuadër të programit përmbyllës, për nxënësit u përgatit edhe një surprizë e veçantë. Grupi i aktorëve “Pinokio” solli në skenë historinë e njohur të Pinokios, përmes së cilës fëmijëve iu përcollën edhe mesazhe edukative – se duhet të jenë të sinqertë, të mos gënjejnë dhe t’i kushtojnë rëndësi dijes dhe mësimit. Përveç shfaqjes, aktorët përfshinë fëmijët edhe në një aktivitet interaktiv, duke sjellë të qeshura dhe momente argëtuese.
Në fund të ceremonisë u ndanë certifikata dhe mirënjohje për pjesëmarrësit, ndërsa nxënësit përmes këtij programi përmbyllën një tjetër edicion të Shkollës Verore, duke marrë me vete kujtime dhe përvoja të reja.
Anida Murati /SHENJA/



