Nga Luçiano Boçi
Me shumë turr e entuziazëm fals Rama ka nxituar të na shpallë kampionë në aftësitë mbrojtëse ndaj sulmeve kibernetike.
Për të qeshur e për të qarë.
Gati, gati si Kim Jongu që e shpallte Korenë e Veriut kampione botërore në futboll pa luajtur një ndeshje në Kampionat.
Rama ka gjetur më në fund një tabelë, ku qeveria e tij paraqet dokumentet e veta sipas qejfit dhe pastaj feston pikët që merr për to.
Po, Shqipëria ka 98.33 pikë në National Cyber Security Index.
Por ky indeks nuk mat nëse të dhënat e qytetarëve janë të sigurta. Nuk mat sa të mbrojtura janë sistemet në praktikë. Nuk mat as sa herë administrata është paralizuar apo sa të dhëna kanë përfunduar në duart e patronazhistëve dhe hakerëve.
Ai mat kryesisht nëse ekzistojnë ligje, strategji, institucione, plane dhe struktura formale.
Pra, është indeksi i asaj që shteti thotë se ka ndërtuar, jo domosdoshmërisht i asaj që shteti arrin të mbrojë.
Madje, të dhënat e fundit për Shqipërinë janë përditësuar nga ‘government officials’, pra nga zyrtarët e vetë qeverisë.
Qeveria dorëzon dokumentet, indeksi shënon kutitë dhe Kryeministri shpall fitoren botërore.
Ndërkohë, në të njëjtën faqe, Shqipëria renditet e 62-ta për qeverisjen elektronike dhe e 84-ta për gatishmërinë e rrjeteve. Por këto shifra nuk i shërbejnë festës, ndaj Rama nuk i përmend.
Edhe emrin e indeksit e fryn fort.
NCSI nuk është ‘Global Cybersecurity Index’ i ITU-së.
Këto janë dy instrumente të ndryshme.
Në indeksin e ITU-së, Shqipëria paraqitet në kategorinë T2, jo si kampione e Ramës.
Një qeveri serioze e lexon rezultatin me përgjegjësi, ndërsa propaganda e përdor për të sharë qytetarët.
Sepse çfarëdo të shpallë Rama pyetjet mbeten.
Kush mbajti përgjegjësi për sulmin që paralizoi shërbimet publike?
Kush mbajti përgjegjësi për rrjedhjen e të dhënave personale?
Sa të sigurta janë realisht sistemet e AKSHI-t?
Por Rama nuk u përgjigjet.
Ai merret me ‘sorrat’, ‘korbat’, ‘jargët’ dhe ‘vjehrrat’, sepse kur mungojnë përgjigjet, Kryeministri kthehet në komentuesin më vulgar të Facebook-ut të vet.
Një shtet kibernetikisht i sigurt nuk provohet nga metaforat e Kryeministrit.
Provohet kur qytetarëve nuk u vidhen të dhënat, kur sistemet nuk bien dhe kur përgjegjësit nuk fshihen pas një tabele.
Shqipëria mund të jetë ngjitur në një indeks, por Rama, me këtë gjuhë tipike të profilit të tij prej mashtruesi e harbuti, e ka zbritur përsëri në fund.



