Bisedimet e sotme mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kanë sjellë një kthesë të papritur, duke e komplikuar arritjen e një marrëveshjeje për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Burime të afërta me bisedimet kanë theksuar se pengesa kryesore qëndron në renditjen e hapave që duhet të ndiqen në Kuvend. Kjo situatë ka krijuar tensione mes palëve, duke e vështirësuar procesin e negociatave.
Sipas këtyre burimeve, kryeministri Kurti ka propozuar që fillimisht të miratohet Projektligji për Specialen vetëm në lexim të parë, pas së cilës Kuvendi do të kalonte në seancën për zgjedhjen e Presidentit, dhe më pas të procedohej me leximin e dytë të projektligjit.
Megjithatë, ky propozim nuk është pranuar nga kreu i PDK-së, Bedri Hamza, i cili ka theksuar se qëndrimi i partisë së tij është që të dy leximet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të përfundojnë para se të fillojë procesi për zgjedhjen e Presidentit.
Hamza kishte bërë të qartë këtë qëndrim edhe para takimit, duke deklaruar se për PDK-në prioritet është miratimi i Ligjit për Specialen, dhe vetëm pas kësaj do të merret në konsideratë procesi për Presidentin.
Burimet e Gazetës Express gjithashtu kanë sqaruar se PDK-ja nuk po kërkon që Presidenti i ardhshëm të jetë një kandidat i saj. Hamza ka shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar propozimet e Kurtit për emrin e Presidentit, me kushtin që procedura për Ligjin e Speciales të përfundojë më parë.
Dallimi kryesor mes palëve nuk lidhet vetëm me përmbajtjen e marrëveshjes, por me rendin e zbatimit të saj: Kurti kërkon që ligji të kalojë në lexim të parë, pastaj votimi për Presidentin, ndërsa PDK-ja kërkon që ligji të kalojë të dy leximet para se të zhvillohet seanca për Presidentin.
Takimi i sotëm zgjati më shumë se dy orë, dhe pas tij, Hamza ka deklaruar se bisedimet kanë përfunduar, duke theksuar se kanë mbetur disa ditë për të parë nëse ekziston mundësia e një marrëveshjeje. Ai përsëriti se PDK-ja kërkon miratimin përfundimtar të ligjit në dy lexime dhe se më pas është e gatshme të hyjë në procesin për Presidentin.
Koha për një kompromis është e kufizuar, pasi afati për zgjedhjen e Presidentit po afrohet, dhe dështimi për ta përmbyllur procesin do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.



