Më shumë se katër orë diskutime për reformën territoriale, debate të forta dhe përplasje të drejtpërdrejta mes kryeministrit Edi Rama dhe disa prej kryebashkiakëve të majtë. Mbledhja e zhvilluar në Kuç të Vlorës, ku në fokus ishte harta e re territoriale, ka qenë larg një takimi rutinë.
Burime bëjnë me dije se tensionet kanë kulmuar në përballjet e Ramës me kryetarët e bashkive që pritet të humbasin statusin e tyre, mes tyre Policanin, Dimalin, Selenicën dhe Divjakën.
Një nga momentet më të tensionuara është shënuar gjatë përplasjes mes kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë së Policanit, Adriatik Zotkaj. Rama i ka bërë të qartë se, sipas tij, nuk duhej të ishte pjesë e takimit, ndërsa ka kritikuar ashpër edhe protestën e zhvilluar më herët në Polican, ku u dogjën kartat e anëtarësisë së Partisë Socialiste.
Rama: “Ti nuk duhet të ishe fare këtu. Ajo që bëri Poliçani me djegien e kartave ishte një akt paturpësie.”
Zotkaj, i cili prej kohësh ka kundërshtuar publikisht shkrirjen e Bashkisë së Poliçanit, duke argumentuar se reforma do të largojë shërbimet nga qytetarët, i është përgjigjur duke mbrojtur qëndrimin e tij.
Zotkaj: “Komuniteti iu përgjigj veprimit mosmirënjohës të PS-së dhe Kryeministrit. Në ka një mosmirënjohje është ajo e PS.”
Debati ka vijuar edhe me kryetaren e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj. Gjatë diskutimit për rolin dhe kompetencat e pushtetit vendor, Rama i është drejtuar me ironi kryebashkiakes.
Rama: “Ju udhëheqësit e mëdhenj!”
Përgjigjja e Memajt ka qenë e drejtpërdrejtë dhe ka tensionuar më tej situatën.
Memaj: “Ç’udhëheqës zeza! Ne jemi bërë si punëtorë komunaleje.”
Kjo deklaratë, sipas burimeve, ka irrituar kryeministrin, i cili i ka kërkuar kryetares së Dimalit të largohej nga mbledhja.
Përplasjet nuk janë kufizuar vetëm te Poliçan dhe Dimal. Edhe kryetarët e Selenicës dhe Divjakës, Nertil Bello dhe Josif Gorrea, kanë debatuar me Ramën dhe ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, duke mbrojtur qëndrimin kundër shkrirjes së bashkive të tyre.
Nga ana tjetër, Rama ka pretenduar se kundërshtimi i kryebashkiakëve po shkon përtej debatit institucional, duke i akuzuar se po nxisin komunitetet lokale kundër reformës territoriale.
Një tjetër pikë e fortë e diskutimit ka qenë ajo që kryebashkiakët e kanë cilësuar si standard i dyfishtë në përzgjedhjen e bashkive që do të shkrihen. Sipas tyre, bashki si Peqini, Vau i Dejës apo Roskoveci kanë tregues më të dobët performance, por megjithatë nuk janë përfshirë në të njëjtën mënyrë në ndryshimet e propozuara.
Mbledhja, e cila zgjati mbi katër orë, është fokusuar tërësisht te reforma territoriale dhe mënyra se si do të riorganizohen bashkitë në hartën e re.



