Partia UNITETI ka sjellur vendim që të shkrihet në Aleancën për Shqiptarët. Nënkryetari i kësaj partie, Zulfi Adili, ka deklaruar se vendimi është sjellur me votën e shumicës së degëve dhe të anëtarëve të subjektëve politike. Në procedurën e sjelljes së këtij vendimi nuk ka marrë pjesë kryetari i Unitetit, Gëzim Ostreni.
“Duke pasur parasysh që kryetari i partisë nuk është në komunikim me strukturat e zgjedhura nga Kongresi, ai asnjëherë nuk thirri organin më të lartë të partisë, Kuvendin Qendror. Andaj, Kuvendi Qendror u mblodh sot, u vetmblodh në fakt dhe në mbledhje e solli këtë vendim: bashkimin me subjektet tjera të koalicionit dhe krijimin e subjektit të ri politik ‘Aleanca për Shqiptarët’. Pra, ky është vendimi përfundimtar. Këtu unë e kam edhe vendimin, mund ta shihni sigurisht, vendimin e anëtarëve të kuvendit qendror të Partisë Uniteti. Pra, shumica e anëtarëve e kanë nënshkruar vendimin”.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Uniteti, Gëzim Ostreni e ka quajtur si antiligjor dhe antistatutar vendimin e kumtuar sot nga nënkryetari Zulfi Adili për shkrirjen e Partisë Uniteti në Aleancën për Shqiptarët. Ostreni thotë se këtë vendim mund ta sjellë vetëm Kuvendi dhe jo degët e partisë. Ai shtoi se me këtë vendim Adili e ka përjashtuar veten nga partia dhe i sugjeron që të shkojë në cilën parti dëshiron ai personalisht, por nuk mund ta marrë me vete edhe Partinë Uniteti.
“Nuk është në kompetencë të degëve për të krijuar një parti të re ose për të shpërbërë partinë “Uniteti”, ngase ajo detyrë ose obligim dhe e drejtë është e kongresit edhe në kongres duhet të votohet me 2/3 e votave të delegatëve në kongres. Kuvendi nuk është kompetent të bie vendim, as kryesia qendrore. Në qoftë se ne angazhohemi për shkrirjen ose pushimin me punë të Unitetit ose bashkimin me një parti tjetër, ajo patjetër duhet të jetë me vendim të kongresit,gjë që është në përputhje me ligjin për partitë politike”.
Ai paralajmëroi edhe mbajtjen e një Kongresi në të cilin do të riparohen të gjitha dëmet që janë shkaktuar partisë me zhvillimet e fundit dhe do të vazhdojnë me realizimin e politikave partiake.
Teuta Buçi /SHENJA/
“UNITETI” të ndarë: Adili shpallë shkrirjen në… by tvshenjaofficial

