Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair ka ngritur një sërë dyshimesh lidhur me funksionimin e çerdhes “Fidani”, duke shprehur shqetësim për atë që e cilëson si keqmenaxhim institucional me pasoja të mundshme për shëndetin e fëmijëve dhe të punësuarve.
“A është vënë në rrezik shëndeti i fëmijëve dhe edukatoreve në çerdhen ‘Fidani’ për shkak të keqmenaxhimit?”, pyet dega e BDI-së në Çair. Sipas reagimit, ekzistojnë informacione se për një periudhë disa mujore – punonjësit e çerdhes kanë mbetur pa sigurim shëndetësor për shkak të problemeve financiare të institucionit.
“A është e vërtetë se punonjësit e çerdhes ‘Fidani’ kanë mbetur për muaj të tërë pa sigurim shëndetësor, për shkak të bllokimit të mjeteve financiare të institucionit për kompensimin e punonjësve të larguar në mënyrë të kundërligjshme nga puna? A është e vërtetë se si pasojë e këtij keqmenaxhimi, dhjetëra të punësuar kanë mbetur pa mbrojtjen bazë shëndetësore dhe sociale?”, thuhet në reagim. Nga BDI-Çair ngrihen gjithashtu dyshime edhe për gjendjen sanitare në institucion, duke iu referuar gjetjeve të supozuara të organeve inspektuese. “A është e vërtetë se Inspektorati Sanitar ka konstatuar prani të baktereve orofaringeale tek një numër i konsiderueshëm i të punësuarve në këtë institucion?”, pyesin nga dega e partisë.
Sipas tyre, shqetësimet bëhen edhe më serioze nëse rezulton e vërtetë se personeli ka vazhduar punën pavarësisht konstatimeve të tilla. “A është e vërtetë se pavarësisht këtyre gjetjeve, drejtoresha ka kërkuar që personeli të vazhdojë punën duke mbetur në kontakt të përditshëm me fëmijët? A janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve, edukatoreve dhe personelit tjetër?”, thuhet më tej në reagim.
Dega e BDI-së në Çair thekson se çështja nuk duhet parë përmes prizmit politik, por si një problem që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe shëndetin publik.
“Këto nuk janë pyetje politike. Janë pyetje që kanë të bëjnë me shëndetin e fëmijëve tanë, sigurinë e të punësuarve dhe përgjegjësinë e institucioneve publike”, theksohet në reagim. Nga BDI-Çair kërkojnë transparencë të plotë dhe përgjigje nga institucionet kompetente për të gjitha pretendimet e ngritura, duke vlerësuar se qytetarët kanë të drejtë të informohen për situatën reale në një institucion që kujdeset për fëmijët. “Qytetarët meritojnë përgjigje. Do të ketë përgjegjësi”, përfundon reagimi i Degës së BDI-së në Çair.


