Ulet numri i shtetasve të RMV-së të cilët janë kthyer nga vendet e Bashkimit Evropian sipas marrëveshjes për riatdhesim. Sipas të dhënave të MPB-së në vitin 2019 në vend ishin kthyer 1.300 persona, përderisa në vitin 2016 – 3.500, ndërsa në vitin 2015 – 9.000. Shumica e këtyre personave janë romë.
Komisioni i Përhershëm Anketues për Mbrojtje të Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit sot mbajti debat publik për problemet e të kthyerve nga vendet e BE-së sipas marrëveshjeve për riatdhesim.
“Sollëm përfundime konkrete për përforcimin e politikave të shtetit të cilat kanë të bëjnë me qytetarët të cilët dhunshëm ose vullnetarisht kthehen nga vendet e BE-së. Ata përballen me probleme konkrete në pjesën e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, punësimit. Qeveria ka program që nga viti 2010 për këtë çështje, por nuk është zbatuar. Ne kërkojmë Qeveria të zbatojë masa konkrete”, deklaroi kryetari i Komisionit të Përhershëm Anketues”, deputeti Fadil Zendeli.
Snezhana Trajanovska përfaqësuese e MPB-së theksoi se vitet e fundit ulet numri i shtetasve nga RMV-ja të kthyer në vend sipas marrëveshjes për riatdhesim me BE-në, por gjithashtu theksoi se ky numër ndoshta nuk është real sepse disa persona kthehen vetë gjegjësisht individualisht dhe i kalojnë formalitetet kufitare si udhëtarët e tjerë. Kryesisht, siç tha ajo, bëhet fjalë për romë të cilët pas një periudhë më të gjatë ose më të shkurtë kthehen në vend.
Takimi i fundit i përfaqësuesve të vendit tonë në lidhje me këtë çështje në Bruksel ishte në shtator të vitit 2019. Deri më tani kemi nënshkruar 25 marrëveshje për riatdhesim, përfshirë edhe BE-në, ndërsa vijon procedurë për marrëveshje për riatdhesim me edhe pesë vende.
Ministri përgjegjës për Zbatimin e Strategjisë për Përmirësim të Gjendjes së Romëve, Muzafer Bajram dhe Malinka Ristevska – Jordanova nga Instituti për Politikë Evropiane theksuan se, pa dallim se pas çfarë periudhe këta persona kthehen në vend, është e nevojshme që menjëherë ose shpejtë t’iu jepen të drejtat të cilat i kishin humbur kur ishin larguar, që ata të munden që sa më shpejtë të integrohen në sistem.
Ristevska – Jordanova tha se nevojitet që ata menjëherë të kenë qasje deri te mbrojtja sociale, shërbimet shëndetësore, arsim, të kenë lehtësime për punësime gjegjësisht regjistrim në Agjencinë për Punësim.
“Ndonjëherë fëmijët humbin vite të tëra për shkak të dokumenteve të papranuara për arsimin e përfunduar”, tha ajo.
Këta persona, shton Ristevska-Jordanova, pas kthimit përballen edhe me diskriminim, por jo vetëm në bazë etnike por edhe partiake.
Rekomandimi i tyre është që të kenë ekipe të specializuara për ndihmë të këtyre personave. “Institucionet janë të përkushtuara në punën e tyre, por mungon qasje sistematike”, theksoi ajo.



