Andriy Yermak, kreu i zyrës së Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se bisedimet me delegacionin amerikan kanë nisur në mënyrë shumë konstruktive.
Siç raporton BBC, ai ka theksuar se Ukraina po punon drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Bisedimet e nivelit të lartë mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë, kanë filluar të martën në Arabinë Saudite.
Ky takim po zhvillohet derisa raportohet për sulme masive me dronë në 10 rajone të Rusisë, që kanë shkaktuar të paktën tre të vdekur dhe 18 të plagosur.
Mbrojtja ajrore ruse ka deklaruar se ka rrëzuar 337 dronë ukrainas gjatë natës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili po udhëheq delegacionin amerikan, është parë i buzëqeshur para mediave, ndërsa zyrtarët ukrainas kanë qëndruar më të rezervuar.
Rubio ka thënë se bisedimet do të fokusohen te çfarë mund të pranojë Ukraina në tekstin e marrëveshjes, duke përfshirë mundësinë për koncesione në territoret që Rusia tashmë ka pushtuar.
Takimi po zhvillohet në një hotel luksoz në Arabinë Saudite.