Numri një i Qeverisë, Edi Rama ka vizituar një tjetër pikë kritike të Lezhës, e cila përmbytet sa herë ka reshje të dendura shiu, siç është Gjadra.
I shoqëruar nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu, Rama është shprehur se pavarësisht reshjeve masive të ditëve të fundit, pasojat e përmbytjeve në këtë zonë nuk janë aq të mëdha.
“Janë bërë pastrime, se do ta shihnit ç’do të thotë përmbytje për shkak të njeriut. Me cfarë keni parë në të kaluarën, s’duhet me u qa”, – theksoi Rama.
Pjesë nga diskutimet mes banorëve dhe Ramës:
Banori: Uji ka mbush tokën.
Rama: E di, po në 2010 uji ju erdhi nëpër dhoma.
Banorja: Janë zhytur vetëm 10 shtëpi, 500 tjera jemi xixë.
Rama: Janë bërë pastrime, se do ta shihnit ç’do të thotë përmbytje për shkak të njeriut. Me cfarë keni parë në të kaluarën, s’duhet me u qa.
Pjerin Ndreu: Këtu është zona më problematike, por gjithsesi kemi ndërhyrë te banorët. Nuk kemi asnjë kosto, as bagëti. Mbrëmë kemi ndërhyrë.
Rama: Kjo zonë ka qenë e ndaluar, para se të vinte fadroma me dy gishta. Edhe në zonën e komunizmit kjo zonë ishte si një govatë me ujë.
Ndreu: Hë Ben, ke ndonjë gjë, thuaja kryeministrit.
Rama: Ca ka ky, është me PD-në?
Banori: Unë nuk jam i lëkundur, por jam me atë që punon.
Ndreu: Jemi në gatishmëri, vetëm një telefon larg na keni.
Rama: Më shih në sy. Demokratët e zgjuar nuk mund të thonë që këtu nuk është bërë gjë, se ti je demokrat i zgjuar. Kur kemi ardhur këtu, edhe njerëzit ishin gjithë në baltë.
Banori: Kryetari ka pak kohë që ka ardhur në detyrë, po këto kanalet duhet me na i pastru.
Rama: Po mos të ishte pastruar ky këtu, ne dy do ishim deri në fut me ujë.



