Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, bëri të ditur se gjatë dy ditëve të ardhshme 456 pacientë onkologjikë, të cilët kanë aplikuar për ndihmë të njëhershme financiare, do t’i marrin mjetet në llogaritë e tyre transaksionale.
Sipas Gjorgjievskit, gjithsej 1.200 pacientë kanë dorëzuar aplikime për këtë masë, ndërsa përpunimi i dokumentacionit për pjesën tjetër të aplikuesve është ende në vijim.
“Nesër dhe gjatë ditës së ardhshme, 456 pacientë onkologjikë që aplikuan për ndihmë të njëhershme financiare do t’i marrin mjetet në llogaritë e tyre. Dokumentacioni për të gjithë të tjerët po përpunohet me përkushtim maksimal dhe përgjegjësi, ndërsa pagesa për të gjithë ata që kanë aplikuar do të përfundojë gjatë javës së ardhshme”, shkroi Gjorgjievski në një publikim.
Ai theksoi se masa synon të ofrojë mbështetje konkrete për personat që po përballen me sëmundje të rënda dhe sfida të mëdha shëndetësore.
“Detyrimi ynë është të jemi pranë bashkëqytetarëve tanë, jo vetëm me fjalë, por edhe me ndihmë konkrete, kujdes dhe humanitet”, u shpreh Gjorgjievski.



