Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën “X” pas incidentit në New York, ku u përball me protestues shqiptarë që i hodhën vezë gjatë vizitës së tij në SHBA.
Në reagimin e tij, Rama u është përgjigjur protestuesve duke përdorur një gjuhë të ashpër, ndërsa ka deklaruar se incidentet e tilla nuk do ta ndalin në misionin e tij politik. Kryeministri shton se nuk do të ndalet përballë protestave dhe kritikave, duke e lidhur këtë me objektivin e integrimit europian të Shqipërisë. Rama e lidh më tej këtë pretendim me luftën kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi, duke deklaruar se Shqipëria, sipas tij, ka ndryshuar krahasuar me të kaluarën.
Në fund të reagimit, Rama ka përdorur sërish epitete ironizuese ndaj protestuesve dhe kritikëve të tij, duke i quajtur “pula histerike të katundit tonë” dhe duke i akuzuar se veprojnë “për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik”.
Reagimi:
Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës. Kurse atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni!
Dhe le ta dëgjojnë e ta mbajnë mirë vath në vesh meqë kujtojnë se mposhtem unë dot me “bombat çudibërëse” që amplifikojnë në kupë të qiellit ditë e natë fjalën korrupsion:
Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit!
Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë, ndërkohë që pulat histerike të katundit tonë kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik, të cilët i gënjen mendja sa një vezë, se do të më ndalin mua me llogjet e pafundme për korrupsionin që po luftohet nga vetë sistemi që po ndërtojmë, apo me sharjet e mallkimet folklorike si të këtij sqepit bashkëngjitur, që e shkruan shqipen me këmbët e pulës
The post U godit me vezë nga shqiptarët në New York, Rama sulmon protestuesit: Nuk më ndalin dot me jargë e baltë! Pula histerike appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


