Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas sulmit me vezë nga shqiptarët në New York, ku ai po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Përmes një postimi në “X”, Rama thotë se “nuk ndalet nga vezët për ta çuar flamurin tonë në majën e BE-së”, ndërsa i është përgjigjur aktivistëve që e quajtën “kriminel”, duke i cilësuar si “pula histerike”.
Ndër të tjera, Rama shkruan se sipas tij, Shqipëria ka sot një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, duke iu referuar këtu ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e cila u shkarkua nga detyra pasi akuzohet nga SPAK për dy vepra penale, nën dyshimin për bashkëpunim me Ergys Agasin.
“Nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni”, thotë Rama.
Për kreun e qeverisë, qytetarët që protestojnë prej më shumë se 100 ditësh kundër qeverisë së tij, janë “pula histerike të katundit tonë që kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik”.
“I gënjen mendja sa një vezë, se do të më ndalin mua me llogjet e pafundme për korrupsionin që po luftohet nga vetë sistemi që po ndërtojmë”, përfundon Rama.
Edi Rama: Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës.
Kurse atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni!
Dhe le ta dëgjojnë e ta mbajnë mirë vath në vesh meqë kujtojnë se mposhtem unë dot me “bombat çudibërëse” që amplifikojnë në kupë të qiellit ditë e natë fjalën korrupsion: Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit!
Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë, ndërkohë që pulat histerike të katundit tonë kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik, të cilët i gënjen mendja sa një vezë, se do të më ndalin mua me llogjet e pafundme për korrupsionin që po luftohet nga vetë sistemi që po ndërtojmë, apo me sharjet e mallkimet folklorike si të këtij sqepit bashkëngjitur, që e shkruan shqipen me këmbët e pulës
The post Ish-shefja e SHISH u arrestua nga SPAK se bashkëpunonte me krimin e organizuar, Rama: Kemi sistem institucional që shfaqi vetëpastrim! Protestuesit? Mua s’më ndalin vezët! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


