Një aksident i rëndë u regjistrua mbrëmjen e djeshme në vendin e quajtur “Vajkan” në aksin rrugor Fier- Lushnje, ku një 50-vjeçar u gjet i vdekur në anë të rrugës.
Mësohet se viktima është babai i tre fëmijëve. Ai punonte si roje në një subjekt privat dhe mësohet se kthehej nga puna për në shtëpi. Familjarët kanë kërkuar gjatë gjithë natës dhe vetëm në mëngjes kanë gjetur trupin anës autostradës në kanal.
Pranë trupit ka pasur edhe pjesë të një automjeti që mendohet që e ka përplasur. Policia është vënë në kërkim të autorit të aksidentit duke marrë edhe kamerat e sigurisë të bizneseve që ndodhen përgjatë autostradës.



