Ministria e Brendshme e Shqipërisë shpall “non grata” edhe dy shtetas të tjerë për veprimtari të dyshimta ndaj shtetit shqiptar. Siç raporton Top Channel, të padëshiruar janë shpallur dy shtetas nga Maqedonia e Veriut, ndaj të cilëve ka të dhëna për veprimtari në dëm të shtetit shqiptar. Vendimi është marrë pas propozimit të njësisë antiterror në Policinë e Shtetit, ndërsa është dhënë konfirmimi nga Ministria e Brendshme, e cila ka shpallur “non grata” Valon Belën dhe Bekir Halimin. Bela dhe Halimi, nuk do të lejohen të futen në Shqipëri për një periudhë 10-vjeçare. Ndërkohë mësohet se për Valon Belën autoritetet shqiptare kanë lëshuar edhe urdhër dëbimi.
Ish politikani, Valon Bela në një reagim në rrjetet sociale e cilëson vendimin si një akt administrativ që, sipas tij, nuk mund të zbehë kontributin e tij kombëtar.
VALON BELA
“Një vendim administrativ nuk mund ta shpallë ‘non grata’ historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari. Nëse një luftëtar i tri luftërave kombëtare shqiptare shpallet i padëshiruar në shtetin shqiptar, atëherë pyetja nuk është vetëm se kush u shpall ‘non grata’, por çfarë mesazhi po i jepet kujtesës sonë kombëtare”.
Në reagimin e tij, Bela kritikon ashpër qeverinë shqiptare, duke deklaruar se “asnjë qeveri nuk është mbi kombin” dhe se mandatet politike janë të përkohshme, ndërsa historia mbetet. Bela e lidh vendimin ndaj tij me qëndrimet e qeverisë shqiptare ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Motivacioni për të cilin Bela dhe Halimi janë shpallur non grada kanë të bëjnë me vepra ose propagandë kundër sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, sigurisë kombëtare, rendit kushtetues dhe rendit e sigurisë publike. Po ashtu, në motivacion përmenden edhe dyshime për anëtarësim në organizata terroriste, si dhe përkrahje ose kryerje të veprimeve anarkiste kundër shtetit ligjor.
Disa javë më parë, Ministria e Brendshme e Shqipërisë shpalli “non-grata” edhe shtetasen Ikballe Huduti, duke i ndaluar hyrjen në vend për një periudhë prej 15 vitesh. /SHENJA/



