Ministria e Punëve të Brendshme mbrëmë pak para mesnate, ka arrestuar anesteziologun e repartit gjinekologjik të Spitalit Klinik të Teovës, i cili publikoi video live të pacienteve, të cilave po u ofrohej ndihmë mjekësore. Rastin në polici e ka denoncuar drejtori i spitalit, transmeton Portalb.mk.
“Më 14.04.2023 në orën 23:40, nëpunës policor kanë arrestuar V.D. (43) në fshatin Odër të Tetovës, duke vepruar pas paraqitjes nga ana e P.V., drejtor i Spitalit Klinik Tetovë se, V.D. i punësuar si anesteziolog në spital, ka incizuar dhe publikuar në rrjetin “tik tok”, personel mjekësor dhe pacientë të cilëve u është ofruar ndihmë mjekësore. Është informuar edhe prokurori publik dhe pas dokumentimit të rastit, do të dorëzohet paraqitje përkatëse”, njoftuan nga MPB.
Incidentin në fjalë e ka dënuar ashpër edhe Oda e Mjekëve, prej ku thanë se organet e kësaj organizate do të mblidhen për të shqyrtuar rastin dhe për të marrë masa aekuate.
“Kërkesa për respektimin e të drejtave personale, nis nga respektimi i të drejtave të të tjerëve, në këtë rast të dretjat e pacientëve, për këtë, në afat sa më tëshkurtër, organet e Odës do të thirren që të shqyrtojnë rastin dhe të ndërmarrin aktivitete dhe masa. Me kodin e deontologjisë mjekësore, mjekët obligohen që ta kryejnë profesionin me ndërgjegje dhe përgjegjësi, se do ta respektojnë dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e të sëmurëve dhe se do ta ruajnë besimin e tyre. Oda e mjekëve, si organizatë e pavarur dhe profesionale, e të gjithë mjekëve në vend, vazhdon të punojë në mbrojtjen dhe avancimin e profesionalitetit dhe detyrimeve etike dhe të drejtave të mjekëve, por me raport kritike ndaj gjithë atyre që e shembin dinjitetin, pasqyrën dhe integritetin profesionit, si veprimtari e interesit të posaçëm shoqëror”, thuhet në reagimin e organizatës.
Mbrëmë në rrejtet sociali qarkulloi një video ku shihet anesteziologu i punësuar në repartin për pastrim në Gjinekologji, në Spitalin Klinik të Tetovës, ka incizuar gratë – paciente në njërën nga sallat e spitalit, dhe ka publikuar ato drejtpërdrejtë në rrjetin social TikTok.