4 March 2018 / 15:56
Pas publikimit të pamjeve në Alsat për gjendjen katastrofale të tualeteve në shkollën “7 marsi” dhe në disa shkolla të tjera, komuna e Çairit ka paralajmëruar se do të thërras mbledhje më të gjithë drejtorët e shkollave për të kërkuar përgjegjësi prej tyre lidhur me mosmirëmbajtjen e tualeteve, ndërkaq më pas, komuna do të njoftojë Inspektoratin lidhur me rastin. Nga kjo komunë njoftuan se tanimë kanë marrë vendim për rikonstruimin e tualeteve të të gjitha shkollave që gravitojnë në këtë komunë dhe se deri në gjysmën e këtij viti, pritet që të kryhet e gjithë procedura.
Drejtorët e shkollave mund të sanksionohen për mosmirëmbajtjen e higjienës nëpër hapësirat shkollore. Për këtë gjë kompetencë ka Inspektorati shtetëror por edhe Komuna e Çairit si organ kompetent për shkollat fillore në fjalë. 3:40 Komuna e Çairit duhet të dokumentojë gjendjen aktuale nëpër shkollat fillore. Inspektorati i Punës do të vëzhgojë në terren çështjen e mirëmbajtjes së pastërtisë. Ne në radhë të parë do të kishim dashtë që të apelojmë që një gjë e tillë të mos përsëritet, por nëse gjendja vazhdon të jetë e njëjtë, do të fillojmë të gjitha procedurat ligjore për ndëshkimin e personave kompetent – deklaroi Kushtrim Alla, zëdhënës i komunës së Çairit.
Nga komuna e Butelit paralajmërojnë gjithashtu se nga e hëna do të nisin procedurat për shqyrtimin e gjendjes në shkollën fillore “Penko” ku gjithashtu papastërtia dhe mungesa e pajisjeve elementare ishte mëse evidente.
Komuna e Butelit në fillim të javës që vjen planifikon të ndërmerr masat e parapara ligjore lidhur me këtë rast. Të hënën do të shqyrtojmë problemin, dhe për më shumë detaje do të ju njoftojmë – thonë nga komuna e Butelit.
Nga ministria e Arsimit dhe Shkencës thanë se për shqyrtimin e rasteve të tilla, thuajse të gjitha kompetencat i takojnë komunave. Kjo ministri një ditë më parë njoftoi se për dallim nga shkollat e tjera, vetëm “Petar Zdravskovski Penko”, hapësirat e tualeteve të së cilës rezultojnë të jetë në gjendje të rëndë sanitare, nuk ka paraqitur kërkesë deri në ministri për rikonstruimin e tyre.
Vjollca Aliti


