21 November
Feim Imeri nga Saraji, i cili zotëron kompaninë për makineri të ndërtimit “Fiço servis”, u paraqit në Gjykatën Penale për të dëshmuar në rastin “Trust”. Prokurorët nga Prokuroria Speciale e pyetën nëse vërtetë i ka shitur mekanizim kompanisë “TRANSMET” të Sead Koçanit, sa makineri dhe kur, duke i prezantuar fatura dhe kontrata. Dëshmitari, edhe pse pranoi se janë fatura të kompanisë së tij nuk ishte i sigurt në lidhje me nënshkrimet, sepse siç tha ai, gjatë viteve nënshkrimin e tij personal e ka ndryshuar. Në rastin “Trust”, Specialja ngarkon tre të pandehur dhe tri kompani, se të bashkuar në konsorcium kanë dorëzuar dokumente të falsifikuara për pronësinë e mekanizimit me qëllim të marrjes së tenderit nga ELEM-i, në vitin 2011 për gërmimet e thëngjillit me vlerë prej 17 milion euro.
Faturat as nuk janë të regjistruara në vitin 2011, as që janë lëshuar, e as që i ka pranuar ato, e as që ka pasur detyrime për paga, asgjë. Që do të thotë se janë vetëm një copë letër dhe asgjë tjetër- deklaroi Artan Ajro – PSP.
Në seancën e ardhshme të caktuar për të enjten para gjykatës duhet të dalë edhe një tjetër dëshmitar i PSP-së. Avokatët e të pandehurve ankohen se kjo prokurori nuk i ka informuar se cilët dëshmitarë janë në listën e dëshmive, por vetëm se kanë paraqitur dëshmi në materiale dhe procesverbale nga të dy dëshmitarët.
Sot gjykata vendosi se nuk do të lejojë mbrojtja ti marrë në pyetje ato dëshmitarë në mënyrë të drejtpërdrejtë, kështu që për ne, mendojmë se është shkelur e drejta e mbrojtjes- deklaroi avokati Sanja Aleksiq.
I akuzuari i parë në “Trust” është biznesmeni Sead Koçan, i cili nuk e pranon fajin.
Për këtë rast deri në Vitin e Ri janë planifikuar një duzinë seancash.
Alsat M

