Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pret që Kamboxhia dhe Tajlanda të respektojnë plotësisht angazhimet e tyre për armëpushim pas përleshjeve vdekjeprurëse përgjatë kufirit të tyre të diskutueshëm, tha një zyrtar i lartë i administratës të hënën.
“Presidenti Trump është i përkushtuar për ndërprerjen e vazhdueshme të dhunës dhe pret që qeveritë e Kamboxhias dhe Tajlandës t’i përmbushin plotësisht angazhimet e tyre për t’i dhënë fund këtij konflikti”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.
Deklarata erdhi ndërsa Tajlanda nisi sulmet ajrore të hënën në mëngjes në përgjigje të një sulmi të mëparshëm nga forcat kamboxhiane që vrau të paktën një ushtar tajlandez dhe plagosi disa të tjerë, duke kërcënuar një marrëveshje të brishtë armëpushimi të nënshkruar në tetor në Kuala Lumpur në prani të Trump dhe kryeministrit malajzian Anwar Ibrahim.
Tensionet midis fqinjëve u përshkallëzuan muajin e kaluar pasi Tajlanda pezulloi masat e çtensionimit pas një shpërthimi të një mine tokësore në provincën Si Sa Ket që plagosi katër ushtarë tajlandezë.
Në korrik, Kamboxhia dhe Tajlanda ranë dakord për një armëpushim pa kushte në një takim trepalësh të organizuar nga Anwar, duke i dhënë fund javëve të armiqësive të rënda kufitare.
SITUATA ME MEKSIKEN
Donald Trump kërcënoi të hënën se do të rrisë tarifat doganore për produktet meksikane me 5% nëse Meksika nuk siguron që më shumë ujë të arrijë në shtetin e Teksasit “menjëherë” sipas një marrëveshjeje dypalëshe të vitit 1944 mbi burimet ujore.
“Meksika vazhdon të shkelë marrëveshjen tonë për ujin”, tha presidenti republikan i SHBA-së nëpërmjet Truth Social, duke kërkuar që vendi fqinj të sigurojë që 250 milionë metra kub ujë të arrijnë në vendin e tij deri në fund të këtij viti dhe sasi më të mëdha më pas, dhe duke deklaruar se, përndryshe, do të vendosen tarifa shtesë prej 5% për produktet meksikane të importuara në vendin e tij.
“Deri më tani, Meksika nuk i ka përmbushur” detyrimet e saj, u ankua ai.
Sipas marrëveshjes, Meksika është e detyruar të lejojë që sasi të mëdha uji të rrjedhin në Shtetet e Bashkuara nga Rio Grande përmes një rrjeti digash dhe rezervuarësh.
Mungesa e ujit po prek si fermerët ashtu edhe blegtorët në shtetin e Teksasit, këmbënguli presidenti amerikan.
Qeveria meksikane argumenton se thatësira po shkakton një problem që përkeqësohet me burimet ujore.


