Presidenti i SHBA-së Donald Trump do të vizitojë tri shtete të Lindjes së Mesme muajin e ardhshëm për takime me liderët rajonalë, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë, transmeton Anadolu.
Gjatë udhëtimit nga 13 deri më 16 maj, Trump do të vizitojë Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, u tha gazetarëve zëdhënësja Karoline Leavitt.
“Presidenti kërkon të forcojë lidhjet midis Shteteve të Bashkuara dhe këtyre vendeve të cilat ai do t’i vizitojë. Ai do të ketë takime dhe bisedime dypalëshe. E presim me padurim udhëtimin”, tha ajo.
Ky turne pritej të ishte udhëtimi e parë i Trumpit jashtë vendit, por vdekja e Papa Françeskut të hënën do ta çojë atë në Romë këtë fundjavë për të marrë pjesë në funeral.
Trump do të niset nga Washingtoni të premten në mëngjes për ngjarjen solemne dhe do të kthehet në SHBA të shtunën pas shërbimit funeral.
Të enjten, Trump do të presë kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Store në Shtëpinë e Bardhë për një vizitë pune në atë që do të shënojë vizitën e 13-të të një kreu shteti të huaj që kur presidenti amerikan mori detyrën në janar.