Tre persona janë arrestuar mbrëmjen e 31 korrikut në zonën kufitare të Bllacës, pasi u kapën duke transportuar mall të futur ilegalisht nga Kosova.
Sipas njoftimit të policisë, aksioni është zhvilluar rreth orës 23:00 nga nëpunës të Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare – Veri, të cilët po zbatonin një plan operativ për parandalimin dhe zbulimin e kontrabandës. Ndërhyrja është kryer në vijën kufitare mes fshatit Bllacë dhe Hanit të Elezit.
Në vendngjarje janë arrestuar N.B. (27), H.B. (26) dhe E.Xh. (21), të tre banorë të fshatit Bllacë. Sipas policisë, ata janë kapur në flagrancë duke ngarkuar mall të kontrabanduar në një furgon “Mercedes Vito” me targa të Shkupit dhe në një automjet udhëtarësh “Hyundai” pa targa.
Policia ka sekuestruar të dy automjetet, si dhe mallin e kontrabanduar. Për rastin është njoftuar prokurori publik, ndërsa pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, ndaj të arrestuarve do të ngrihen kallëzimet përkatëse.



