Gjatë tre ditëve të karantinës 322 persona në të gjithë shtetin nuk e kanë respektuar orën policore. Policia ka arrestuar 248 prej tyre, ndërsa për të tjerët janë marrë masa adekuate.
Ministria e Punëve të brendshme informoi se gjatë të hënës gjithsej 117 persona nuk e kanë respektuar orën policore, ndërsa prej tyre policia ka arrestuar 89 persona. Nga MPB thonë se për personat tjerë do të merren masat adekuate.
Të dielën policia arrestoi 92 persona, ndërsa orën policore e shkelën 121 qytetarë.
“Sa i përket ndalimit të lëvizjes gjatë 24 orëve të kaluara, janë regjistruar se në nivelin e të gjithë vendit 121 persona nuk e respektuan ndalimin e lëvizjes, prej të cilëve janë arrestuar 92 persona, dhe për pjesën tjetër u morën të dhënat dhe do të pasojnë masat e duhura”, njoftuan nga MPB.
Të shtunën policia informoi se në gjithë shtetin 84 persona nuk e respektuan orën policore, 67 prej të cilëve u arrestuan, ndërsa për të tjerët pasuan masa adekuate.
Ndërkaq, gjatë tre ditëve të karantinës 404 personave u është dhënë vendim për izolim, ndërsa 204 qytetarë kanë nënshkruan dekleratë për vetëizolim.
Të hënën vendim për izolim iu dha 135 personave, ndërsa 53 persona nënshkruan deklaratë për vetizolim.
Të dielën në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, 238 persona morën vendime për izolim, dhe 108 persona nënshkruan deklarata për vetizolim.
Të shtunën 31 personave iu dhanë vendime për izolim, derisa 43 kanë firmosur vendim për vetizolim.
Ministria e punëve të brendshme po ashtu informoi se ka kryer kontrolle tek personat që janë në izolim dhe vetëizolim, ku katër persona nuk e kanë respektuar masën eizolimit.



