Zëvendësministrja për Çëshje Evropiane Viktoria Trajkov, e cila është për vizitë pune në Bruksel, mbrëmë në tryezën e rrumbullakët të organizuar me pjesëmarrësit në nivel të lartë të Fondacionit Konrad Adenauer-Zyra për Evropë, tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian sot paraqet një domosdoshmëri politike dhe një nga instrumentet më të rëndësishme strategjike të Unionit, informojnë nga MÇE.
Sipas saj, për Maqedoninë integrimi evropian mbetet prioriteti më i lartë strategjik.
“Agjenda e reformave është në zemrën e politikave qeveritare. Reformat në sundimin e ligjit, administratën publike, menaxhimin ekonomik, transformimin digjital dhe transparencën institucionale janë investimi në të ardhmen e vendit dhe në kushte më të mira për qytetarët”, ka thënë Trajkov.
Zëvendësministrja për çështje evropiane nënvizoi se procesi i zgjerimit duhet të mbetet kredibil, i bazuar në merita dhe i parashikueshëm, me ç’rast edhe vendet kandidate dhe Bashkimi Evropian duhet deri në fund t’i përmbushin detyrimet e tyre.
Sipas saj, një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm, demokratik dhe prosperitar do të thotë Bashkim Evropian më i fortë dhe më i sigurt.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe ministri i shtetit për Evropën në ministrinë federale të jashtme të Gjermanisë, Ginter Krihbaum, eurodeputeti gjerman Mihael Gahler dhe një anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Trajkov kujtoi se Maqedonia është një aleat i besueshëm në NATO, plotësisht në përputhje me Politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe e përkushtuar ndaj stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Me pjesëmarrjen në Bruksel, Maqedonia, siç thonë nga MÇE, edhe një herë konfirmoi orientimin e saj strategjik drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në të ardhmen e përbashkët evropiane.



