“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”
Këto fjalë tronditëse i shkroi Arlinda Sylaj Zekaj në një letër drejtuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, e cila është e datuar më 22 tetor 2026. Vetëm tri ditë më vonë, më 25 tetor, ajo u vra në mënyrë brutale në shtëpinë e saj në Vitomiricë, ndërsa dyshohet se për krimin është përgjegjës kunati i saj.
Gazeta Sinjali ka siguruar letrën e Arlindës, ku ajo kërkonte një ndërhyrje urgjente nga institucionet, ekzekutimin e një urdhri gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në detyrat e tyre. Kjo letër është një dëshmi e qartë e frikës që ajo ndiente për jetën e saj.
Letra, e adresuar për Kryeprokuroren dhe e shënuar si urgjente, përmban një paralajmërim të fortë për rrezikun që Arlinda ndiente. Ajo kërkonte masa të menjëhershme ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke theksuar se përgjegjësitë po kalonin nga një institucion në tjetrin, ndërsa rreziku për jetën e saj vazhdonte të rritej.
Arlinda gjithashtu kishte kërkuar që të ekzekutohej urgjentisht urdhri gjyqësor dhe të hapeshin hetime ndaj zyrtarëve të përfshirë, duke përfshirë Qendrën për Punë Sociale. “Kjo është shtesa ime e fundit”, kishte shkruar ajo, duke shprehur frikën se institucionet mund të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi t’i merrej jeta.
Në fund të letrës, Arlinda kishte shkruar: “Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!” Një thirrje alarmante që pasqyronte gjendjen e saj të rëndë emocionale dhe frikën për jetën e saj.
Tri ditë pas pranimit të kësaj letre në Prokurori, 49-vjeçarja u gjet e vrarë në dhomën e gjumit, në shtëpinë e saj në rrugën “Man Dedushaj”, në Vitomiricë. Tragjedia ndodhi në rrethana të frikshme, pasi atë natë Arlinda kishte raportuar në Polici si viktimë të dhunës në familje.
Ajo ishte intervistuar nga hetuesit dhe rreth orës 20:58 ishte kthyer në shtëpi nga patrulla policore. Vetëm dhjetë minuta më vonë, Policia u njoftua për vrasjen e saj. Sipas informacioneve fillestare, kunati i saj, Albert Sylaj, dyshohet se e kishte goditur me sëpatë në kokë.
Letra e siguruar nga Sinjali ngre pyetje të rënda për mënyrën se si institucionet kishin trajtuar paralajmërimet dhe kërkesat e Arlindës për mbrojtje. A ishte ekzekutuar urdhri gjyqësor për të cilin ajo kishte kërkuar ndërhyrje? Çfarë veprimesh ishin ndërmarrë pas pranimit të letrës? A ishte vlerësuar rreziku për jetën e saj dhe cilat masa ishin marrë për sigurinë e saj?
Këto janë pyetje që institucionet përgjegjëse duhet të sqarojnë. Dokumenti nuk dëshmon automatikisht përgjegjësi penale apo disiplinore të ndonjë zyrtari, por tregon se Arlinda kishte ngritur shqetësime të qarta për sigurinë e saj dhe kishte kërkuar veprime institucionale para se të ndodhte tragjedia.
Ajo kishte shkruar se druhej nga dita kur institucionet do të jepnin llogari vetëm pasi t’i merrej jeta. Tri ditë më vonë, Arlinda nuk ishte më gjallë.



