Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të hetuar dhe analizuar të gjitha rastet e trajtuara nga e ndjera Arlinda Zekaj, e cila humbi jetën më 25 tetor 2026 në Pejë.
Me anë të një komunikate për media, është bërë e ditur se koordinatori kombëtar për rastet e dhunës në familje është autorizuar për të shqyrtuar me kujdes çdo veprim institucional që ka ndodhur deri tani, ku viktimë ka qenë e ndjera.
Si pjesë e këtyre masave, kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ka kërkuar një raport të detajuar mbi të gjitha rastet e trajtuara, duke përfshirë identitetin e personave të denoncuar dhe kualifikimin juridik të veprave.
Ky raport do të përfshijë emrat e prokurorëve që kanë pasur në dorë lëndët, veprimet procedurale dhe afatet kur janë ndërmarrë ato, si dhe vendimet e marra dhe arsyetimet përkatëse ligjore, duke vlerësuar gjithashtu shkallën e rrezikut dhe masat mbrojtëse të kërkuara për viktimën.
Paralelisht, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) të fillojë hetime për zyrtarët policorë, për të verifikuar mënyrën se si janë trajtuar denoncimet e Arlinda Zekajt në stacionet policore, me qëllim identifikimin e përgjegjësive individuale dhe institucionale.
Burime nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit theksojnë se lënda po trajtohet me urgjencë dhe paanshmëri maksimale, duke u përkushtuar për të zbardhur të vërtetën.
“Nëse konstatohen shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprime nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të merren masat përkatëse ligjore dhe do të kërkohet përgjegjësi për çdo shkelje të evidentuar, pa asnjë tolerim ndaj përgjegjësisë institucionale apo individuale,” thuhet në njoftim.



