Avokatja Adelina Hoxha, e cila përfaqësonte Arlinda Zekajn, e cila humbi jetën në një akt tragjik në Vitomiricë të Pejës, ka ngritur akuza serioze ndaj institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e saj.
Hoxha theksoi se përgjegjësia për këtë ngjarje tragjike nuk i takon vetëm autorit të dyshuar të vrasjes, por gjithashtu mënyrës se si institucionet e trajtuan Arlindën dhe kërkesat e saj për ndihmë.
“Mund të them me siguri se shteti e ka vrarë. Prokurorja nuk e ka ushtruar detyrën e saj siç duhet,” shprehu Hoxha, duke theksuar dështimin e sistemit në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Avokatja kishte përgatitur një ankesë disiplinore të detajuar, e cila përfshinte 14 faqe, në cilësinë e përfaqësueses së Arlindës, duke kërkuar hetim për trajtimin e rastit që përfshinte djalin e mitur të viktimës.
Dokumenti i ankesës ishte dorëzuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë dhe përfshinte pretendime për mosushtrimin efektiv të detyrës dhe pakujdesi të rëndë profesionale nga ana e prokurores.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura në ankesë ishte mënyra e intervistimit të djalit të mitur, si dhe mungesa e veprimeve të mjaftueshme për sigurimin e provave që do të ndihmonin në zbardhjen e rastit.
Hoxha gjithashtu kërkoi verifikimin e veprimeve të prokurores dhe komunikimeve me hetuesit policorë për të siguruar që provat të ishin trajtuar siç duhej.
Një nga shqetësimet e tjera lidhej me pamjet e kamerave të sigurisë, për të cilat avokatja kërkoi të sigurohej që ishin ruajtur në kohë, duke pasur parasysh rrezikun e humbjes së tyre.
Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, veçanërisht pas publikimit të një letre që ajo kishte dërguar Prokurorisë më 22 tetor, vetëm tri ditë para se të gjendej e vrarë, ku kërkonte ndihmë urgjente për sigurinë e saj.
Avokatja Hoxha kishte ndarë më parë frikën e Arlindës për jetën e saj dhe dëshpërimin për ndarjen nga djali, duke theksuar se ajo kishte kërkuar ndihmë për të shpëtuar veten.
Pas ngjarjes tragjike, Hoxha reagoi duke thënë se Arlinda i kishte kërkuar të bënte gjithçka për të, pasi ajo nuk mund ta imagjinonte jetën pa djalin e saj. “Por jo, Arlindën e vrau shteti,” përfundoi ajo në reagimin e saj publik.


